Tërheqja e Presidentit Biden nga gara, shkakton konfuzion lidhur me sfidat globale

23/07/2024 07:53

Tërheqja e Presidentit Joe Biden nga gara presidenciale në SHBA, i shton pasiguritë në botë në një kohë kur udhëheqësit perëndimorë përballen me luftrat në Ukrainë dhe Gazë, një Kinë më agresive në Azi dhe forcimin e së djathtës ekstreme në Evropë.

Gjatë karrierës së tij prej pesë dekadash në politikë, zoti Biden krijoi marrëdhënie të shumta personale me udhëheqës të huaj, gjë që nuk e ka asnjë nga kandidatët e mundshëm për ta zëvendësuar atë. Pas njoftimit për tërheqjen e tij, mesazhe të shumta mbështetjeje dhe mirënjohjeje për vitet e shërbimit publik nga ana e tij, edhën nga e gjithë bota. Sfidat e shumta të politikës së jashtme me të cilat do të përballet presidenti i ardhshëm i SHBA-së, e bëjnë të qartë se sa e rëndësishme është ajo që ndodh në Uashington për pjesën tjetër të botës. U hedhim një vështrim disave prej këtyre sfidave.

Izraeli dhe Palestinezët

Mbështetja e fortë e Presidentit Biden për Izraelin që pasi sulmit të Hamasit më 7 tetor, i ka rrënjët në mbështetjen e tij gjysmëshekullore për atë vend si senator, nënpresident dhe më pas president. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, një aleat i ish-presidentit Donald Trump, i cili ka pasur përplasje me zotin Biden lidhur me bombardimet dhe rrethimin e Gazës nga Izraeli në muajt e fundit, nuk komentoi menjëherë lidhur me vendimin e Presidentit Biden për t’u larguar nga gara.

Zyrtarë të tjerë izraelitë vlerësuan mbrojtjen e vendosur të zotit Biden ndaj vendit të tyre. Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant falënderoi Presidentin Biden për “mbështetjen e tij të palëkundur”, ndërsa Presidenti Isaac Herzog e përshëndeti atë si “aleat të vërtetë të popullit hebre”.

Përpara se të nisej për në Uashington të hënën – ku ai do të flasë para një sesion të përbashkët të Kongresit të mërkurën – zoti Netanyahu tha se “pavarësisht se kë zgjedh populli amerikan si president, Izraeli mbetet një aleat i domosdoshëm dhe i fuqishëm i Amerikës”.

Duke qenë se nënpresidentja Kamala Harris po shihet si zëvendësuesja më e mundshme e zotit Biden, izraelitët po përpoqen të kuptojnë se çfarë do të thoshte kandidatura e saj për vendin e tyre, që përballet me një izolim global në rritje lidhur me luftën e tij kundër Hamasit.

Gazeta e përditshme izraelite e krahut të majtë “Haaretz” botoi një artikull ku analizonte reputacionin e zonjës Harris si një zë i ashpër që ka kritikuar shpesh me forcë Izraelin se nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur civilët.

Alon Pinkas, ish-konsull i përgjithshëm i Izraelit në Nju Jork thotë se
“me largimin e Bidenit, Izraeli ka humbur” nga mbështetësit e fuqishëm të një shteti demokratik hebre.

Palestinezët e intervistuar të hënën në qytetin qendror të Gazës, Deir al-Balah thanë se nuk ka rëndësi se cili do të bëhet kandidati demokrat për sa kohë që Izraeli vazhdon të hedhë bomba të prodhuara nga SHBA në enklavë.

“Ne mendojmë se Shtetet e Bashkuara janë partnere në sulmin ndaj Gazës”, tha Hassan Shaqalieh.

“Të dy (Biden dhe Harris) në fund të fundit kanë të njëjtën platformë dhe kanë një histori të miratimit të politikave të vijës së ashpër izraelite kundër palestinezëve,” thotë Tahani Mustafa, një analist palestinez në Grupin e Krizave.

Ukraina

Cilido qoftë kandidati demokrat ka të ngjarë të vazhdojë në gjurmët e zotit Biden me një mbështetje të vendosur ushtarake për Ukrainën. Por zhgënjimi me administratën Biden është rritur në Ukrainë dhe Evropë për shkak të ritmit të ngadaltë të ndihmës për SHBA-në dhe kufizimet në përdorimin e armëve perëndimore.

“Shumica e evropianëve e kuptojnë se Ukraina do të jetë gjithnjë e më shumë barra e tyre. Të gjithë po përpiqen të jeni gati për çdo rezultat të mundshëm”, thotë Sudha David-Wilp, drejtore e zyrës së Berlinit të Fondit Gjerman Marshall.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në platformën X se e respekton “vendimin e vështirë, por të fortë” të zotit Biden për të hequr dorë nga fushata dhe e falënderoi atë për ndihmën “për të parandaluar pushtimin e vendit tonë nga (presidenti rus Vladimir) Putin”.

Ish-Presidenti Trump ka premtuar se do t’i japë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës brenda një dite nëse ai zgjidhet – një perspektivë që ka shtuar frikën në Ukrainë se Rusia mund të lejohet të mbajë territorin që ka marrë nënkontroll.

Kandidati republikan për nënpresident, senatori i Ohajos, JD Vance, është ndër kundërshtarët më të zëshëm në Kongres ndaj ndihmës së SHBA-së për Ukrainën.

Ndërkohë, Rusia hodhi poshtë rëndësinë e garës, duke këmbëngulur se pavarësisht se çfarë ndodh, Moska do të vazhdojë veprimet në Ukrainë.

“Synimet e operacionit special ushtarak do të arrihen”, tha Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, në aplikacionin e mesazheve Telegram, duke përdorur formulimin e Kremlinit për luftën në Ukrainë.

Evropa dhe NATO

Shumë evropianë ishin të lumtur të shihnin humbjen e zotit Trump, pasi ai për vite me radhë shpërfilli Bashkimin Evropian dhe kritikoi ashpër NATO-n. Qëndrimi në dukje shpërfillës i zotit Trump ndaj aleatëve evropianë në debatin presidencial të muajit të kaluar nuk bëri asgjë për t’i qetësuar këto shqetësime. Zoti Biden, nga ana tjetër, ka mbështetur marrëdhëniet e ngushta amerikane me udhëheqësit e bllokut. Këto lidhje u dukën qartë pas vendimit të zotit Biden për t’u larguar nga gara.

Kryeministri polak Donald Tusk e quajti zgjedhjen e tij “ndoshta më të vështirën në jetën e tij”. Kryeministri i ri britanik, Keir Starmer, tha se ai respektonte “vendimin e zotit Biden bazuar në atë që ai beson se është në interesin më të mirë të popullit amerikan”. Kryeministri irlandez Simon Harris e quajti Presidentin Biden një “amerikan krenar me shpirt irlandez”.

Analistët thonë se këto zgjedhje do të përcaktojnë nëse NATO-ja do ta ruajë ritmin e mbështetjes ndaj Ukrainës dhe nëse mund të mbahen nën kontroll ambiciet e shteteve autoritare.

“Ata nuk duan që Donald Trump të jetë president. Pra, ka pak lehtësim, por edhe mjaft nervozizëm” në lidhje me vendimin e zotit Biden për t’u larguar nga gara, thotë Jeremy Shapiro, drejtor kërkimesh në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Kina

Gjatë muajve të fundit, si zoti Biden ashtu edhe zoti Trump janë përpjekur t’u tregojnë votuesve se kush mund t’i rezistojë më së miri fuqisë ushtarake dhe luftarake në rritje të Pekinit dhe të mbrojë bizneset dhe punëtorët amerikanë nga importet kineze me çmime të ulëta.

Presidenti Biden ka rritur tarifat për automjetet elektrike nga Kina dhe ish-Presidenti Trump ka premtuar të zbatojë tarifa prej 60% për të gjitha produktet kineze.

Doktrina “Amerika e para” e zotit Trump përshkallëzoi tensionet me Pekinin. Por mosmarrëveshjet me rivalin gjeopolitik dhe kolosin ekonomik mbi luftrat, tregtinë, teknologjinë dhe sigurinë vazhduan gjatë mandatit të zotit Biden.

Reagimi zyrtar i Kinës ndaj garës presidenciale në SHBA ka qenë i kujdesshëm.

“Zgjedhjet në SHBA janë politikë e brendshme e SHBA-së. Nuk kam asnjë koment për këtë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Mao Ning.

Irani

Në kushtet kur grupet e mbështetura nga Irani në Lindjen e Mesme, janë të përfshira gjithnjë e më shumë në luftën Izrael-Hamas, SHBA përballet me një rajon në kaos. Grupi Huthi i Jemenit që mbështetet nga Irani goditi Tel Avivin për herë të parë javën e kaluar, duke sjellë rezultat kundërpërgjigjen e Izraelit brenda Jemenit të shkatërruar nga lufta. Sulmet ndërkufitare midis grupit militant Hezbollah të Libanit të mbështetur nga Irani dhe ushtrisë izraelite, kanë ngjallur frikën për një konflikt të gjithanshëm rajonal.

Hamasi, i cili gjithashtu merr mbështetje nga Irani, vazhdon të luftojë Izraelin, nëntë muaj pas një lufte që ka vrarë 39,000 palestinezë dhe ka zhvendosur mbi 80% të popullsisë së Gazës.

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Iranin për zgjerimin e programit të tij bërthamor dhe pasurimin e uraniumit në një nivel të paprecedentë prej 60%.

Pasi presidenti i atëhershëm Trump u tërhoq në vitin 2018 nga marrëveshja bërthamore e Teheranit me fuqitë botërore, zoti Biden u përpoq të ndryshonte qëndrimin e ashpër të paraardhësit të tij. Por administrata e tij nuk ka arritur të rinegociojë marrëveshjen dhe ka vazhduar sanksionet e ashpra.

Vdekja e papritur e Ebrahim Raisit – një aleat i vijës së ashpër i udhëheqësit suprem – në një aksident me helikopter, solli një reformist në presidencën e Iranit. Masoud Pezeshkian ka thënë se dëshiron të ndihmojë Iranin të hapet me botën, por ka mbajtur një ton sfidues kundër SHBA-së.

Gjatë një konference të hënën, Nasser Kanaani, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane, nuk i dha rëndësi tërheqjes së zotit Biden.

“Për ne, ardhja dhe ikja e qeverive dhe personave në krye të administratës amerikane nuk është e rëndësishme në vetvete,” tha ai. “Ajo që mund të ndryshojë marrëdhëniet është një ndryshim thelbësor në këtë politikë armiqësore (të SHBA-së) kundër Iranit.”

Meksika

Marrëdhënia historikisht e ngushtë mes Meksikës dhe SHBA-së është karakterizuar vitet e fundit nga mosmarrëveshjet mbi tregtinë, energjinë dhe ndryshimet klimatike. Presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador, i cili mori pushtetin në vitin 2018, ka bashkëpunuar me administratat Trump dhe Biden për të reduktuar imigracionin e paligjshëm në kufirin jugor të Shtetet e Bashkuara.

Të premten, presidenti i Meksikës e quajti zotin Trump “mik” dhe tha se do t’i shkruante për ta paralajmëruar që të mos premtonte të mbyllte kufirin ose të fajësonte emigrantët për sjelljen e drogës në Shtetet e Bashkuara.

“Unë do t’i dëshmoj atij se emigrantët nuk transportojnë drogë në Shtetet e Bashkuara,” tha ai, duke shtuar se “mbyllja e kufirit nuk do të zgjidhë asgjë, dhe as nuk mund të realizohet”. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA