Në limitet e sesionit parlamentar, demokratë dhe socialistë janë gati të mundësojnë votimin e shqiptarëve jashtë vendit në zgjedhjet e 2025.
Të mërkurën pasdite është thirrur mbledhja e komisionit parlamentar për çështje ligjore, ku do të testohet vullneti i dy partive të mëdha për mënyrën dhe formën sesi do të implementohet votimi nga jashtë. Në draftet që Top Channel disponon, atë të PS-së dhe atë të PD-së, një pikë që duket se i ka bashkuar të dyja palët, është domosdoshmëria e pasjes së një adrese për të gëzuar të drejtën e votës nga jashtë.
Ndryshimet në kod nuk janë reforma e plotë pasi reflektojnë vetëm vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku çështja e herësit vijon të jetë një pike jo përbashkuese. Socialistët e kanë ulur pragun për të kaluar nga pjesa humbëse e listës në atë fituese në jo më shumë se 7 mijë vota. Demokratët nuk kane të shkruar asnjë rresht për votën preferenciale megjithëse në takimin e fundit propozuan një formulë miks, e cila pritet të jetë pjesë e diskutimit.
Në mbledhjen e parashikuar pasditen e së mërkurës, pritet që të shqyrtohen edhe propozime të partive parlamentare dhe jo parlamentare për kodin elektoral. Draftet që do marrin miratimin e Komisionit të Ligjeve pritet t’i kalojnë seancës plenare për votim.
Top Channel