Xhaxhai i të ndjerit, Aleks Nika dha dëshmi para prokurorëve të SPAK, si person që ka dijeni dhe për të dhënë detaje pas rihapjes së hetimit për “21 Janarin”, së bashku me bashkëshorten e të ndjerit, Rajmonda Nika.
“Kemi besim që SPAK është jashtë politikës dhe se çështjen do ta zbardhin deri në fund. Na pyetën tre prokurorë, më pyetën për kasetën. Kasetën e ka Artan Hoxha dhe është i gatshëm për ta dorëzuar”, tha xhaxhai i tij, Mark Nika.
Çfarë provash të reja keni depozituar, përveç kasetës?
Mark Nika: “Po kemi, do t’i jepen SPAK-ut. Të hetohet zinxhiri komandues siç ka vendosur Strasburgu, pa Strasburgun dhe Gjykatën e Lartë nuk do kishte drejtësi. Si mundet të vrasin njerëz në Bulevard se kanë ardhur në protestë? Komanda, me kryeministrin e kohës dhe ministrin e Brendshëm të kohës. Duan që “21 Janarin” ta heqin nga kalendari, ne luftojmë vetëm për të vërtetën.
Iu luta që të respektohen të gjitha procedurat, sepse çështja është shumë e thjeshtë për ta hetuar. Del zëri në kasetë. Hetimi duhet të shkojë dhe kush i fshiu provat. Do thërriten dhe familjarë të tjerë, kanë bërë një plan hetimi që buron nga Strasburgu.
Nëse nuk dënohet zinxhiri komandues, nuk quhet dosje e zbardhur. Përgjegjësia duhet kërkuar te kryeministri i kohës, ministri i brendshëm dhe komandanti i kohës. Kanë deformuar edhe plumbin e Aleksit në kokë. Të gjithë do përgjigjen për vrasjen në bashkëpunim. Kush ka gjuajtur do përgjigjet.”
Pas një viti kundërshtish gjyqësore nga Rajmonda Nika, SPAK iu bind Gjykatës së Lartë dhe regjistroi “21 janarin” disa ditë më parë. Pavarësisht se në denoncim përmendet ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi, SPAK e regjistroi çështjen pa emrat e tyre.
Në njoftimin për shtyp SPAK thotë se e regjistroi procedimin për vrasje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, pasi siç shton Prokuroria e Posaçme dyshohet se mund të jenë kryer nga ish funksionarë të lartë shtetërore gjatë ushtrimit të detyrës.
Ashtu siç e urdhëron Gjykata e Lartë SPAK deklarohet kompetent për këto hetime, dhe kërkon të tërheqë fashikujt e 21 janarit pranë Prokurorisë së Tiranës për të zbuluar vrasësit e Aleks Nikës.
Si Gjykata e Lartë edhe SPAK përmend vendimin e Gjykatës Europiane që në nëntor 2023 tha se nuk ishte zbardhur përgjegjësia e mundshme e zinxhirit komandues të Gardës.
Në këtë vendim të Strasburgut ku u tregua se shteti kishte dështuar për ta hetuar demonstratën e 21 janarit 2011 thuhet se hetimi ishte ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues.
Si probleme të tjera u numëruan fshirja e regjistrimeve të incidentit dhe mos ndjekja e pistave kyçe të hetimit si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë.
Këto mangësi ngritën dyshimin se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim – konsideroi Strasburgu.
Nga vrasja e katër demonstruesve në bulevard drejtësia ka zbardhur vetëm dy prej tyre, të Ziver Veizaj dhe Faik Myrtaj, ndërsa mbeten ende pa autor vrasja e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës.
Por familjarët e katër viktimave kërkojnë që tanimë hetimit të zbulojë edhe funksionarët që urdhëruan për tu qëlluar me armë zjarri.
Top Channel