Ministri Punëve të Jashtme, Igli Hasani është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Republikën e Koresë, me fokus thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
Në ditën e parë të vizitës në Republikën e Koresë, Hasani është pritur nga homologu Cho Tae-yul.
Ata shprehën angazhimin e përbashkët për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, veçanërisht në tregti.
Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ministri theksoi mbështetjen e Shqipërisë për Strategjinë Indo-Paqësore, që sipas tij, synon të forcojë sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale, duke rritur rolin e Koresë së Jugut si një partner dhe udhëheqës i besueshëm.
Hasani zhvilloi gjithashtu një vizitë në një kompani për prodhimin e automjeteve, e cila ushtron aktivitetin edhe në Shqipëri prej 6 vjetësh.
Vizita e shefit të diplomacisë shqiptare në Republikën e Koresë vjen në kuadër të 33-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Top Channel