Drejtoresha e Shërbimit Sekret amerikan tha se atentati ndaj ish-presidentit Donald Trump, ishte “dështimi më i madh operacional” i agjencisë në dekada.
Drejtoresha Kimberly Cheatle u tha ligjvënësve amerikanë gjatë një seance dëgjimore në Kongres të hënën se “më 13 korrik ne dështuam”.
Cheatle tha se ajo merr përgjegjësinë e plotë për gabimet e agjencisë në lidhje me sulmin në tubimin e Trumpit të mbajtur në Pensilvani më 13 korrik.
Cheatle po dëshmon para një komiteti të Kongresit, ndërsa po shtohen thirrjet që ajo të japë dorëheqje për shkak të dështimeve të sigurisë në tubimin, ku një 20-vjeçar i armatosur tentoi të vriste ish-presidentin republikan.
Komisioni për Mbikëqyrje i Dhomës së Përfaqësuesve dëgjoi dëshminë e parë të Cheatle që nga të shtënat në mitingun e 13 korrikut në Pensilvani, që vranë një person që gjendej në audiencë.
Trump u plagos në vesh, ndërkaq edhe dy persona të tjerë u plagosën pasi Thomas Matthew Crooks u ngjit në çatinë e një ndërtese aty pranë dhe hapi zjarr.
Drejtoresha e Shërbimit Sekret tha se agjencia nuk ka pranuar kërkesë për shtim të sigurisë për tubimin e 13 korrikut.
“Nuk kemi mohuar asnjë aset për ngjarjet e 13 korrikut”, tha ajo para Kongresit.
“Ne besojmë se ka pasur numër të mjaftueshëm të agjentëve” në tubimin e Trumpit më 13 korrik, tha ajo.
Ligjvënësit amerikanë kanë shprehur zemërim sesi i armatosuri mund t’i afrohej kaq shumë kandidatit republikan për president, kur ai supozohej të ruhej me kujdes. Shërbimi Sekret e ka pranuar se ka mohuar disa kërkesa nga fushata e Trumpit për shtimin e sigurisë në ngjarjet që ai ka marrë pjesë vite para atentatit./ REL.
Top Channel