Me akuza ndaj qeverisë e nisi fjalimin e tij nga dritarja edhe sot kreu i PD, Sali Berisha, të kthyer tashmë në “traditë” që prej masës së arrestit në shtëpi të dhënë nga GJKKO.
Berisha akuzoi ministrin e Brendshëm, Taulant Balla se është një “ushtar dhe anëtar i bandave më të rrezikshme në Shqipëri”.
Sipas tij, “Taulant Balla që drejton rendin është kryekëput një ushtar i krimi, një anëtar i bandave të Elbasanit, të Krujës, dhe Shkodrës”, duke shtuar se “nuk guxon të thotë gjysmë fjale në kuvend për vrasësin serial Nuredin Dumanin, sepse mund ta ketë përdorur vetë si vrasës me porosi”.
“Në harkun kohor të 24 orëve, krimi mori tre jetë në Memaliaj, dhe plagosi një qytetar. Plagosi një tjetër në Tale… Sot ai që drejton rendin është kryekëput një ushtar i krimi, është de fakto një anëtar i bandave të Elbasanit, të Krujës, dhe Shkodrës.
A nuk është pra miqtë e mi sot jeta, veprimtaria e qytetarëve shqiptarë në duart e krimit. Sot kriminelët godasin në parlament, qeveri, rrugë, në burgje dhe kudo. Shprehja më flagrante është rasti i Dumanëve. Një Duman rrëfen se ka kryer 13 vrasje, ka marrë 13 shpirtëra, ka hapur 13 varre. Të gjitha me pagesë, nga Suel Çela, të gjithë me radhë, bandat gjer në Shkodër. Dhe një ditë dosja e këtij të penduari, shitet, del në pazar, në të cilën implikohen me dhjetëra persona dhe nis një zinxhir dhjetëra vrasjesh”, deklaroi Berisha.
Në fund të fjalimit, ai u thirrje qytetarëve që të reagojnë.
“Të mos lemë fatin tonë në duart e krimit, të ecim drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, fitores së opozitës”, u shpreh ai.
Top Channel