Katër qytetarë të kombësive të ndryshme kanë marrë nënshtetësinë shqiptare, duke u bërë tashmë pjesë e asaj që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi si “skuadra shqiptare”.
Në ceremoninë e betimit, kreu i Bashkisë theksoi se ky është momenti më i mirë, për t’iu bashkuar një skuadre, e cila ka si mision të përbashkët të çojë përpara Tiranën dhe Shqipërinë.
“Përtej skuadrave sportive, edhe qyteti është një skuadër, edhe shtetësia është një skuadër, edhe kombi është pjesë e një skuadre. Sot ju shoh si anëtarë të skuadrës, jo vetëm si njerëz që merrni një pasaportë të re, por si njerëz që abonohen në këtë kauzë, në këtë mision, që është misioni për Tiranën dhe Shqipërinë moderne”, tha Veliaj.
Sipas kreut të Bashkisë, numri i vizitorëve të huaj sot në Tiranë ka bërë që të dyfishohet popullsia e saj, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar, nga një vend i izoluar, në vendin më të hapur dhe më kurioz për t’u vizituar nga turistët e huaj.
“Ne kemi mesatarisht rreth 1 milionë turistë në muaj. Do të thotë se kemi dyfishin e popullsisë sonë çdo muaj në Tiranë, në formën e turistëve. Janë dy herë më shumë kazanët që duhen pastruar nga mbetjet, sepse prodhohet pa fund nga hotelet, airbnb, bujtinat; ka dy herë më shumë harxhim të ujit. E shoh edhe në trafik sepse shumica e turistëve sapo zbresin marrin një makinë me qira dhe i shtohen lumit të lëvizjes së Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku.
Ai theksoi se teknologjia e informacionit dhe punët digjitale janë fokusi ku duhet orientuar vëmendja e të rinjve sot. Sipas tij, punët e së ardhmes janë ato që paguhen më mirë dhe sigurojnë të njëjtin standard jetese në kryeqytetin shqiptar, ashtu si në vendet e tjera të Europës.
Top Channel