Algert dhe Erald Mine kanë mbetur të plagosur rëndë këtë pasdite, pasi mjeti me të cilin po udhëtonin ka shpërthyer.
E ndërsa fillimisht u dyshua se shpërthimi ka ndodhur me tritol, ekspertët pas këqyrjes së provave të mbetura në vendngjarje kanë dalë në përfundimin se nuk bëhet fjalë për një atentat.
Sipas tyre vëllezërit nga Gramshi e kanë pasur vetë lëndën plasëse, në kroskotin e makinës, dhe se dyshohet se shpërthimi ka qenë aksidental. Sipas informacioneve, lëndën plasëse do ta përdornin për peshkim.
“Në përfundim të veprimeve të para, rezultoi se nuk ka pasur shpërthim nga jashtë të automjetit (pra nuk kemi të bëjmë me lëndë eksplozive) por dyshohet se drejtuesi i automjetit ka pasur në kroskotin e automjetit lëndë plasëse të dyshuar Amonit Malor, me fuqi të ulët veprimi, lëndë e cila dyshohet se ka shpërthyer për shkak të nxehtësisë. Nga tërësia e veprimeve të kryera rezulton se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale dhe nuk ka asnjë indice për veprim kriminal ndaj të dëmtuarave”, sqaron policia.
Si pasojë e shpërthimit, dy vëllezërit kanë marrë plagë të rënda, dhe ndodhen në spitalin e Traumës në Tiranë.
Top Channel