Vetëvrasja e Olsi Ibros, i përfshirë në skemën e mikrokredive/ Para se të hidhej nga pallati në ndërtim, 45-vjeçari konsumoi fostoksinë

20/07/2024 13:55

Olsi Ibro, 45-vjeçari i cili ndërmori aktin ekstrem të vetëvrasjes, ka konsumuar fostoksinë thonë burime për Top Channel, para se të hidhej nga pallati në ndërtim.

Olsi Ibro u hodh nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë dhe gjeti vdekjen e menjëhershme.

Viktima ishte një nga personat e përfshirë në skandalin e mikrokredive.

Godina ku 45 vjeçari  kreu  këtë akt ndodhet vetëm pak metra nga pallati ku ai jetonte me familjen e tij.

Vetëvrasja është pista e parë e kësaj ngjarje e cila megjithatë është nën hetim.

Një ditë më parë  prokuroria e Tiranës sekuestroi disa institucione mikrokredi me akuzën e zhvatjes, pastrimit të parave.

Viktimë e skemës së mikrokredive kanë rënë dhjetëra mijë shqiptarë me disa milionë euro të zhvatura. gjykata aprovoi sekuestron preventive ndaj dy shoqërive Micro Credit Albania dhe “Final”, të dyshuara se kryen mashtrim me pasoja të rënda në dëm të mijëra qytetarëve si dhe pastruan para.

Dy shoqëritë e sekuestruara në bashkëpunim me ADCA dhe shoqëri përmbarimore krijuan një skemë për të vjedhur qytetarët në vlera disa milionë euro. Ndërsa gjykata aprovoi sekuestrimin krimi ekonomiko financiar kreu inventarin e dosjeve në selitë e të dyja shoqërive.

Prokuroria thotë se përmes presionit psikologjik dhe përndjekjes qytetarët u detyruan të merrnin kredi të dyta. Në maj gjykata shpalli nëntë masa sigurie ndaj ish përmbaruesve dhe administratorëve pasi hetoi se si përmbi katër mijë kredi të këqija të blera nga një bankë e nivelit të dytë me një shumë prej gati 7 milionë euro, ishin shumëfishuar në dëm të interesave të debitorëve të cilëve ju ishin sekuestruar pasuri dhe llogari bankare.

Dhe ndërsa Ministria e Drejtësisë dorëzoi një kallëzim të dytë së fundmi, prokuroria thotë se shoqëritë dhe të hetuarit përdorën të dhënat personale të debitorëve për t’i kërcënuar për marrëveshjet e reja.

Deri më tani rezulton se dy shoqëritë bllokuan llogari bankare të debitorëve në kundërshtim me ligjin duke mos u lënë asnjë mundësi jetese debitorëve. Pasuritë e përftuara dhe të  bllokuara në mënyrë të paligjshme  dyshohen se më pas  janë investuar  dhe ndaj akuzua po heton edhe për pastrim parash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA