Të premten, ekipi elektoral i presidentit Joe Biden deklaroi se ai do të qëndrojë në garën presidenciale. Por numri i demokratëve që po shprehen publikisht se shanset e tij për të fituar në zgjedhjet e nëntorit janë të pakëta por rritet dhe ekziston ende mundësia që presidenti Biden të tërhiqet.
Vetëm të premten folën publikisht 12 demokratë të zgjedhur, duke e rritur në rreth 35 numrin e ligjvënësve dhe senatorëve demokratë që kanë kërkuar tërheqjen e presidentit nga gara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, demokratët duhet të marrin një vendim të shpejtë se kush do ta zëvendësojë atë dhe për mënyrën se si do të realizohet kjo.
Presidenti Biden është aktualisht i izoluar për shkak të COVID-it në shtëpinë e tij në Delauer. Nëse ai do të tërhiqej nga gara presidenciale, një skenar i mundshëm do të ishte që ai të mbështeste një kandidat alternativ.
Pothuajse të gjithë 3,896 delegatët që do të mblidhen në Kuvendin Kombëtar Demokrat në Çikago muajin e ardhshëm e kanë përcaktuar votën për presidentin Biden, i cili fitoi në zgjedhjet paraprake në mbarë vendin. Por siç thotë analisti politik John Fortier, ekziston një alternativë.
“Mund të bëhet ndonjë negociatë nëse Joe Biden vendos të tërhiqet dhe ndoshta mund të inkurajohet nënpresidentja Harris që të bëhet kandidatja zyrtare. Por nuk ekziston një garanci absolute, apo një mënyrë ligjore për ta zhvendosur mbështetjen drejt saj”, thotë zoti Fortier për Zërin e Amerikës.
E dyta në hierarkinë presidenciale, nënpresidentja Kamala Harris do të ishte zgjidhja e logjikshme.
58% e demokratëve mendojnë se zonja Harris do të ishte një presidente e mirë, sipas një anketimi të ri nga Qendra për Studime Publike dhe agjencia e lajmeve Associated Press. Por vetëm 30% e amerikanëve mendojnë se ajo duhet të kandidojë për presidente. Publikisht ajo mbështet presidentin Biden.
“Joe Biden është kandidati ynë. E mundëm Trump-in njëherë dhe do ta mundim sërish. Pikë”, tha ajo.
Emërimi i një kandidateje afrikano-amerikane si zonja Harris, mund të ndihmonte edhe për të siguruar votat e afrikano-amerikanëve, një bazë themelore mbështetësish të Partisë Demokrate.
Megjithatë, demokratët mund të duan edhe të shmangin një imazh jodemokratik me një “kurorëzim” automatik, në veçanti nëse ka persona të tjerë që do të shprehnin dëshirën për të qenë kandidatë.
Ndër kandidatët e mundshëm janë edhe tre guvernatorë: Gavin Newsome i Kalifornisë, Josh Shapiro i Pensilvanisë dhe Gretchen Whitmer e Miçiganit.
“Objektivi i partisë do të jetë një proces përpara kuvendit dhe gjatë kuvendit, që do t’u japë pundësi personave që do të futen në garë të komunikojnë me delegatët. Mund të bëhen disa gjëra. Mund të ketë takime lokale. Mund të ketë edhe një debat”, thotë Elaine Kamarck, nga Instituti Brookings.
Gjatë kuvendit, demokratët duhet të vendosin edhe se cili do të jetë kandidat për nënpresident, një tjetër proces ky që mund të sjellë entusiazëm, por edhe ndasi.
“Kushdo që do të kritikojë më shumë kandidimin e zonjës Harris do të jetë ndoshta nga fraksioni i partisë që do të paraqesë kandidatin për nënpresident. Por janë të gjitha spekulime në këtë pikë, pasi nuk është parë një gjë e tillë më parë”, thotë Jennifer Mercieca, profesore për komunikimin politik në Universitetin Texas A&M.
Ndërsa afrojnë zgjedhjet e nëntorit, situata duket e trazuar për demokratët.
“Do ta bëjmë me shumë shpejtësi Amerikën sërish madhështore”, tha ish-presidenti Trump.
Republikanët kanë përfunduar tashmë kuvendin e tyre, duke demonstruar unitet në mbështetje të kandidatit të tyre për president, Donald Trump.
Top Channel