Vula e PD i kaloi Berishës/ Zbardhet vendimi i Gjykatës së Apelit, argumentet: Autorizimi i Bashës nuk kishte më vlerë juridike pas dorëheqjes së tij (Dokumenti)

19/07/2024 21:17

Me zbardhjen e vendimit në të cilin vula e PD i kaloi Sali Berishës, gjykata e Apelit ja zbeh akoma më shumë ëndrrën Lulzim Bashës për të kryer rekurs në Gjykatën e Lartë.

Gjykata e Apelit nuk e ka konsideruar as palë dhe as të legjitimuar Bashën apo përfaqësuesin e grupimit të tij Enkelejd Alibeaj i cili ankimoi me një autorizim të pavlefshëm sipas gjykatës ndryshimet statuore të grupit të rithemelimit

Gjykata e Apelit i kujton Lulzim Bashës dorëheqjen dhe me këtë akt mbarimin e çdo kompetence në parti. Me deklaratën publike për dorëheqje të Lulzim Bashës që ishte paraprirë në fakt nga shkarkimi që i bëri kuvendi i jashtëzakonshëm i 11 dhejtorit 2021 , autorizimi i mëparshëm ndaj Enkelejd Alibeaj datë 15 shtator 2021 konsiderohet pa asnjë fuqi  mbasi vlefshmëria e këtij dokumenti kishte mbaruar me humbjen e kompetencave të Bashës.  Që do të thotë me këtë autorizim të pavlerë përmes të cilit  Alibeaj u  ankua në gjykatë ndaj rithemelimit të Berishës në 25 mars 2023 , realisht ai nuk kishte tagra.

Për gjykatën e apelit ndonëse dorëheqja e Bashës nuk është kryer në formën shkresore dhe as ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike, është një fakt i njohur botërisht dhe i pranuar dhe nga organe të tjera administrative dhe gjyqësore vendimarrëse në procesin zgjedhor. Apeli shton se autorizimi për përfaqësim te të tretët, është një akt i njëanshëm delegimi kompetencash. Konkretisht me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z.Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qenë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike thotë gjykata .

“Gjykata e Apelit vlerëson se pavarësisht se dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha nuk është kryer në formën shkresore dhe as ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike, është një fakt i njohur botërisht dhe i pranuar dhe nga organe të tjera administrative dhe gjyqësore vendimnarrëse në procesin zgjedhor. Sipas vendimit nr.27, datë 16.03.2023 të KAS të lënë në fuqi me vendimin nr.5 datë 27.03.2023 të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, PDSH është përfaqësuar në zgjedhjet vendore të vitit 2023 me nën/kryetar z.Enkelejd Alibeaj, për shkak se është pranuar që kryetari z.Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje në datë 21.03.2022. Nga këto akte provuese, provohet se z.Lulëzim Basha nuk ka qenë organi që përfaqëson juridikisht tek të tretët PDSH-në, në momentin e regjistrimit të ankimit 04.04.2022, pasi është njohur dorëheqja e tij në datë 21.03.2022.

Autorizimi për përfaqësim te të tretët, është një akt i njëanshëm delegimi kompetencash. Në rastin e autorizimit\prokurës së lëshuar nga personi juridik, nënshkruesi i saj nuk delegon tagra personale por tagra që lidhen eskluzivisht me detyrën apo pozicionin përkatës. Efektet juridike të autorizimit apo vlefshmëria e tij mbaron automatikisht me mbarimin apo humbjen e kompetencave të personit nënshkrues të autorizimit.

Me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z.Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qënë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike. Autorizimi i z.Lulzim Basha i datës 15.09.2021 nuk kishte më vlerë juridike pas datës 21.03.2022, pas dorëheqjes së tij publike. Gjykata e apelit vlerëson se z. Alibeaj nuk ka pasur legjitimim procedural në përfaqësimin e ankuesit PDSH në gjykim dhe në paraqitjen dhe nënshkrimin e aktit “Ankim”.

Në kushtet kur përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj, ka bërë ankim kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë pas mbarimit të efekteve juridike të autorizimit, ankimi/apeli i paraqitur nga ky përfaqësues konsiderohet si ankim i bërë nga një person që nuk legjitimohet, si përfaqësues pa tagra.

Për sa më sipër, Gjykata e apelit vlerëson se ankimi i paraqitur nga përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj nuk plotëson parakushtet formale-procedurale për shqyrtimin e tij, pasi është nënshkruar nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim dhe si i tillë në bazë të nenit 450/ç të KPC, i ndryshuar, nuk duhet të pranohet”, theksohet në vendim.

Vendim mospranim ankimi PD.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA