Diaspora mund të votojë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare te 2025.
Politika nuk bëri as këtë herë përjashtim nga rregulli dhe ne limitet e kohës arriti një marrëveshje parimore për ti dhënë dritën jeshile emigrantëve që të gëzojnë te drejtën e votës. Socialistët pranuan propozimin e demokratëve që këtë të drejtë ta kenë jo vetëm emigrantët që janë rezident.
“Një gjë që duhet ta theksojmë është që jemi shumë afër rënies dakord përsa i përket projektligjit, pasi këtu kemi futur te gjitha kategoritë që për një arsye apo një tjetër jetojnë për një kohë të caktuar jashtë vendit. Ku do jene dhe diplomatët, ushtarakët apo edhe persona te tjerë që jetojnë te vende te ndryshme”, tha Damian Gjiknuri.
“Nuk mund të ketë dy kategori shqiptarësh që janë ne emigracion, ata që janë të regjistruar në mënyre të ligjshme dhe ata që janë te regjistruar ne mënyrë të paligjshme. Pra nuk përjashtohen ata të cilët kanë një permerso sogiorne, apo dokument tjetër regjistrimi. Të gjithë shqiptarët në emigracion që kanë një adresë ku mund të lidhen me KQZ sigurisht do të kenë të drejtën e votës”, tha Oerd Bylykbashi.
Jo vetëm vota e diasporës, shanse për një konsensus janë edhe për mënyrën sesi do te përllogaritet vota preferenciale. Mazhoranca kërkoi zbutjen e herësit brenda listës nga 10 mijë vota në 7 mijë, por demokratët paraqitën në tryezën e dialogut një formule miks.
“Për herë të parë dëgjuam një propozim nga ana e opozitës të një liste mikse. Pra një pjesë e mbyllur sikurse parashikon kushtetuta, dhe pjesës tjetër pa prag apo pa herës”, shtoi Gjiknuri.
“Ne do të kërkojmë shtrirjen maksimale te votimit preferencial të zgjedhësve dhe sigurisht në atë moment ato që do jenë të hapura do të binte nevoja për çdo herës frenues sikurse ka propozuar PS”, tha Bylylbashi.
Pas dakordësisë parimore, ekspertët e dy partive kryesore politike janë në garë në kohën për të përkthyer propozimet në letër, në mënyrë që drafti konsensual të marrë dritën jeshile në seancën e fundit te enjten, para se deputetet të marrin pushimet verore.
Top Channel