Skandali tek Onkologjiku/ Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën, SPAK i kërkon GJKKO verifikimin e kushteve për masat ndaj 7 të akuzuarve

18/07/2024 12:27

SPAK i dorëzon gjykatës kërkesën për verifikim kushtesh për masat ndaj shtatë personave nën hetim për skandalin në spitalin Onkologjik.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se mbas shpalljes së moskopetencës nga Prokuroria e Tiranës, SPAK e regjistroi çështjen edhe për korrupsion.

Bëhet me dije se me urdhër të prokurorit të posaçëm Elvin Gokaj po hetohen edhe disa farmaci për kontrabandë ilaçesh.

Brenda dhjetë ditësh nga sot Gjykata e Posaçme Antikorrupsion duhet të caktojë seancën për të hetuarit.

Gjykata e Tiranës la në fuqi masat ndaj 7 të akuzuarve të përfshirë ne skemën abuzive në Departamentin e Onkologjikut në QSUT.

Edmond Gashi, mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”

Emiljano Lela, koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.

Alketa Ymeri(Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje”.

Brikena Qirjazi, zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje”.

Halil Gashi, i akuzuar për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave” u la në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.

Florian Marku i akuzuar për veprën penale të “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” u la në masën “Arrest në shtëpi”.

Për Drilona Kishta për të cilën ishte vendosur masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” e akuzuar për veprën penale “Shpërdorim Detyre” nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi ajo ishte jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi.

Skema si vepronin mjekët në Spitalin e Onkologjikut në QSUT:

Një hetim i bërë nga Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën ku përfshihen mjekë të shërbimit onkologjik dhe stafi i këtij shërbimi të cilët transferonin pacientë nga shërbimi onkologjik drejt klinikave private.

Madje edhe e vetmja aparaturë ajo e kobaltit e cila shërben për radioterapitë për pacientët me tumore mbahej e prishur me qëllim në mënyrë që ky shërbim të mos merrej këtu por në klinika private.

Madje klinika private “Megis”, e mjekut Edmond Gashi që shërbente në Onkologjik është pezulluar deri në një moment të dytë.

Sipas informacioneve, ishte një familjar i një prokurori i cili ka denoncuar dhe ka nisur ky hetim.

Telefonat e mjekëve dhe kordinatorëve të këtij shërbimi janë mbajtur në vëzhgim për një kohë të gjatë nga ku kanë rezultuar biseda dhe pazare të mirëfillta si në shitjen e medikamenteve citostiatike të cilat janë të kushtueshme deri dhe për tarifat që merreshin për ndërhyrje kirurgjikale të cilat varionin nga 4 deri 5 mijë euro.

Këto pazare bëheshin duke llogaritur dhe destinacione të pushimeve luksoze, bazuar në bisedat e tyre me mesazhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA