“Me Greqinë traktat të ri miqësie, pa ligjin e luftës në sfond”/ Gjekmarkaj: Qeveria të japë shpjegime çfarë po bëhet me Marrëveshjen e Detit

18/07/2024 12:27

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ftoi kolegët deputetë të votojnë deklaratën e propozuar nga kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi “për forcimin e bashkëpunimit me Republikën e Greqisë dhe heqjen e ligjit të luftës”.

Ligjin e luftës, Gjekmarkaj e konsideroi një abuzim historik e politik, “që rri në fuqi për të mbajtur me gur varri sipër, çështjen e çamëve dhe pronave të tyre në Greqi”.

“Nga viti 1913-1944, shqiptarët e Çamërisë u shndërruan në ndërgjegjen e vrarë të Europës, u dëbuan nga tokat e tyre u shpërngulën me forcë drejt Turqisë e cila çuditërisht i mori si turq duke i dhënë Greqisë, grekët e vet. Më vonë në luftën e dytë botërore i akuzoi pa të drejtë, një “casus belli” për t’i shrrënjosur si bashkëpunëtor të nazizmit, një aberracion historik pa të dytë. Për krimet e Zerves duhej një përgjigje. Ato krime i lanë vetëm reflektimi mes kombeve.Mbretëria shqiptare me personalitetet më në pah të diplomacisë e politikës bëri sa mundi për ta sensibilizuar sallonerinë europiane nëpërmjet Mid’hat Frashërit e Rauf Ficos, Fan Nolit e Medi Frashërit. Greqia vetëm një herë në vitin 1926, në Qeverinë e Pangalosit e njohu statusin e minoritetit Shqiptar, dhe e mohoi atë më pas. Ndërsa Shqipëria e ka njohur statusin e pakicës kombëtare Greke që në vitin 1922. Ne jemi vende mike, anëtar të NATO-s, madje qiellin tonë e mbrojnë edhe avionët grek, kemi një traktat miqësie, të firmosur nga Presidenti Sali Berisha dhe homologu grek, e për këtë jemi krenar. Në vitin 1994, qeveria demokratike hapi çështjen çame për diskutim.Gjatë qeverisë së PD-së kjo çështje u përfshi në deklaratat e departamentit të shtetit”.

Nënkryetari i Kuvendit kërkoi më tej që qeveria të japë shpjegime çfarë po bëhet me Marrëveshjen e Detit.

“Ne duhet të kemi kurajo si Parlament i Shqipërisë, të hapim një proçes dialogu për adresimin e të gjitha problemeve të mbetura pezull me Greqinë. Ne duhet të bëhemi strategjikë e jo emocionalë, duhet të jeni bashkëpunues me opozitën për çështje madhore e jo përjashtues.Ne duhet të zgjidhim çështjen e detit për të cilën nuk kemi më asnjë të dhënë nga Qeveria jonë. A i rri ende Qeveria jonë Gjyqit të Hagës apo ka ndryshuar opinion ? Ku jemi me çështjen e njohur si çështja e detit ? Pse mbeti e papërfunduar negociata e 2017-2018 dhe a jemi tërhequr apo jo zyrtarisht nga kjo negociatë? Është thënë se do ta zgjidhim në Hagë, kur do të shkojmë? Pse nuk e lëshon plotfuqishmërinë Presidenti i Republikës? A është e vërtetë se ekspertiza e huaj (Studio Ligjore e Gruas së Tony Blair), iu ka paralajmëruar përmes një analize se nëse shkojmë në Hagë do të merrnim rezultatin më minimal të mundshëm?Ne me Greqinë duam dialog për çdo gjë e gjithçka, zgjidhje totale të problemeve, një traktat të ri miqësie pa ligjin e luftës në sfond”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA