“Fiks fare” denoncoi veprimet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Korçës, të cilat harruan në sirtar një dosje. Prokuroria nuk e dërgoi vendimin për t’u ekzekutuar, duke e mbajtur plot 13 muaj. Nga ana tjetër, megjithëse nuk ishte apeluar, gjykata nuk e zbardhi vendimin për të marrë formë të prerë, duke e mbajtur dosjen në sirtar prej 16 muajsh.

Një e moshuar, nëna e të dënuarit Renata Faskaj, iu drejtua emisionit “Fiks Fare” se djali i saj u dënua në muajin dhjetor 2022 nga Gjykata e Korçës me 3 vite me kusht, që të mos kryejë vepër penale. “U kap duke transportuar disa shtetas sirianë, qëndroi 3 ditë në burg dhe u hetua e gjykua i lirë deri sa u dënua në dhjetor 2022. I drejtohemi Fiks Fare se Gjykata e Korçës nuk ka zbardhur në kohë vendimin. Vendimi i dhjetorit nuk është apeluar, as nga ne as nga prokuroria dhe duhet të merrte formë të prerë që në atë kohë” thotë e moshuara.

Madje, Prokuroria e Korçës nuk e dërgoi as për ekzekutim te Shërbimi i Provës në Tiranë, ku edhe jetojnë. “Tani mirë që nuk u ekzekutua, po djali nuk përfiton as nga amnistia e muajit prill 2024. Thonë se s’ka marrë formë të prerë. Kemi shkuar me dhjetëra herë në Gjykatën e Korçës, një gjuhë vulgare nga ata. Madje na thanë se hajdeni ditë të shtunë se do zbardhet” përfundon zonja. Vëllai i të dënuarit shkoi në mes të muajit maj 2024 në Gjykatën e Korçës, ku takoi edhe kryesekretaren. Kjo e fundit i thotë se vendimi merr formë të prerë në datë 18 maj 2024, ditë e shtunë. “Atëherë do të zbardhet vendimi dhe do marrë formë të prerë. Dërgoni dikë tjetër që ta marrë” i thotë ajo. Qytetari i përgjigjet se kanë ardhur 5 herë, ndërsa sekretarja i thotë se “mua s’më me ardhur ndonjëherë”.

“Vendimin e zbardhën në datë 20 maj 2024. Humbi amnistinë dhe djali tani duhet të mbahet ‘peng’ edhe 3 vite të tjera se edhe ekzekutimi nga Shërbimi i Provës ka filluar në janar 2024” thotë nëna e të dënuarit.

Sipas dokumenteve, më datë 25 janar 2024, Prokuroria e Korçës ka njoftuar qytetarët me një shkresë me lëndë “dërgohet shkurtimi i vendimit penal me numër 412, të datës 14 dhjetor 2022, të gjykatës së shkallës së parë Korçë”. “Unë Ledjana Shkurti, prokurore, pasi u njoha me vendimin penale të kësaj dale, i cili ka ardhur në prokurorinë e Korçës më datë 16 dhjetor 2022 dhe rezulton i pa ekzekutuar” shkruan ajo. E njëjta prokurore vijon se “ky vendim i është dhënë prokurorit të çështjes për ekzekutim më datë 16 dhjetor 2022, por nga verifikimi nuk rezulton që deri më sot të jetë nxjerrë urdhër ekzekutimi. Përsa më sipër më marrjen e këtij vendimi nga unë prokurore Ledjana Shkurti, më datë 25 janar 2024 nxirret ky urdhër ekzekutimi”.

Pra, plot 13 muaj pas vendimit të gjykatës, prokuroria kujtohet dhe kërkon që të fillojë ekzekutimi nga shërbimi i provës. Në këtë mënyrë, koha e shërbimit të provës fillon në vitin 2024 dhe jo në vitin 2022! Për më tepër, qytetari nuk përfitoi as amnistinë, e miratuar në fund të muajit prill 2024, pasi vendimi s’ishte zbardhur. Megjithëse nuk ishte apeluar nga asnjëra palë, gjyqtarja Eglantina Mikani e ka zbardhur në datë 20 maj 2024!

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në Shërbimin e Provës në Tiranë, duke kontaktuar me punonjësen Eristjana Karçanaj, e cila po ndjek edhe rastin. Punonjësja thotë se amnistia është miratuar në muajin prill 2024 dhe vendimi është zbardhur në muajin maj 2024. “Nuk mbajmë përgjegjësi për institucionet e tjera” thotë ajo. Fiksi i kërkon Shërbimit të Provës informacione për të dënuarin Renato Faskaj. Ky Shërbim pohon se urdhri nga prokuroria ka ardhur në janar 2024 dhe personi është paraqitur më 5 mars 2024 dhe në këtë datë fillon “periudha e provës 3 vjeçare”, që përfundon në mars të vitit 2027!

Pyetjes se përse nuk përfiton nga amnistia, Shërbimi i Provës thotë se vepra penale që akuzohet Renato përfshihet, por “vendimi i Gjykatës së Korçës i administruar nga Shërbimi i Provës nuk është i formës së prerë”. Shërbimi i Provës i ka kërkuar gjykatës se në çfarë date ka marrë vendimi formë të prerë dhe ka mësuar jo nga gjykata por nga familjarët e të dënuarit se ka marrë formë të prerë më datë 20 maj 2024.

“Ju rikujtojmë se çdo shkallë e gjyqësorit është institucion i pavarur. Forma e prerë e një vendimi penal nuk është në kompetencën e Shërbimit të Provës” justifikohet ky institucion, duke ia hedhur fajin gjykatës. Për këtë arsye nuk përfitoi amnisti, pasi neni 2 i ligjit 33 të vitit 2024 për “dhënie amnistie” parashikonte se përfitonin “personat e dënuar deri në datën 31 mars 2024”. “Pra, thotë Shërbimi, Renato nuk përfiton pasi vendimi ka marrë formë të prerë më 20 maj 2024!

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA