Tajlanda hap “dyert”, edhe shqiptarët mund të udhëtojnë pa vizë drejt shtetit të Azisë Juglindore

16/07/2024 21:53

Tajlanda duket se ka hapur “dyert” e saj për shumë vende të botës, mes tyre edhe Shqipëria.

Shteti aziatik ka zgjeruar skemën e saj të hyrjes pa viza në 93 vende dhe territore, ndërsa kërkon të rigjallërojë industrinë e saj të turizmit.

Vizitorët mund të qëndrojnë në vendin e Azisë Juglindore deri në 60 ditë sipas skemës së re që hyri në fuqi të hënën. Më parë, mbajtësit e pasaportave nga 57 vende lejoheshin të hynin pa vizë.

Turizmi është një shtyllë kryesore e ekonomisë tajlandeze, por nuk është rikuperuar plotësisht nga pandemia.

Vendet që kualifikohen për qëndrime pa viza përfshijnë tregjet kryesore të turizmit si Kina dhe India, si dhe SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Shqipëria, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kamboxhia, Xhamajka, Kazakistani, Laosi, Meksika, Maroku, Panamaja, Rumania, Sri Lanka dhe Uzbekistani.

Sipas të dhënave zyrtare, Tajlanda regjistroi 17.5 milionë turistë të huaj në gjashtë muajt e parë të 2024-ës, 35% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Sidoqoftë, numrat janë të zbehtë në krahasim me nivelet para pandemisë.

Vendi do të lejojë gjithashtu studentët vizitorë, të cilët fitojnë një diplomë bachelor ose më të lartë në Tajlandë, të qëndrojnë për një vit pas diplomimit për të gjetur një punë ose për të udhëtuar.

Në qershor, autoritetet njoftuan një zgjatje të heqjes dorë nga tarifat operative të hotelierëve edhe për dy vjet të tjera. Ata hoqën gjithashtu një tarifë të propozuar turistike për vizitorët që fluturojnë në vend.

Megjithatë, disa palë të interesuara janë të shqetësuar se infrastruktura e vendit mund të mos jetë në gjendje të përmbushë kërkesat e udhëtarëve.

 

Top Channel