Prokuroria e Durrësit mbyll hetimet, punonjësit e ASHK-së Kavajë akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

16/07/2024 15:56

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës ka përfunduar hetimet dhe ka çuar në gjyq pesë personat e përfshirë, mes tyre dhe ish-drejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Kavajë.

Ndër të akuzuarit janë inxhinieri dhe juristi i institucionit, të cilët përballen me akuzat e ‘Falsifikimit të dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimit të detyrës’, si dhe përfituesit e pronës. Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet dhe hartat e pronave për të përfituar në mënyrë të padrejtë.

Hetimet, të nisura më 21 tetor 2021, kanë ngritur dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova se punonjësit e ASHK-së Kavajë, përkatësisht hartografi Ing. Dritan Kazazi dhe regjistruesi Seit Cikalleshi, të cilët kanë falsifikuar dokumentet për një pronë prej 1900 m². Ata dyshohet se kanë ndryshuar destinacionin e pronës nga ullishte në tokë pa frut në vitin 1991, duke përfituar në mënyrë të padrejtë.

Prokuroria akuzon shtetasin Seit Cikalleshi për ‘Shpërdorim detyre’, sipas nenit 248 të Kodit Penal, për regjistrimin e pronës në shkelje të ligjeve në fuqi. Ndërkohë, Kazazi akuzohet për ‘Falsifikim dokumentesh’, pasi ka hartuar një hartë të pasaktë të pronës, e cila nuk përputhej me dokumentet zyrtare dhe nuk plotësonte kriteret minimale për t’u quajtur dokument zyrtar.

Nga hetimet e kryera rezulton se harta e përpiluar nga Kazazi është një skicë e komisionit të ndarjes së tokës në vitin 1991, por që nuk ka asnjë lidhje me pasurinë në fjalë. ASHK Kavajë gjithashtu nuk ka dërguar planin e rilevimit, duke përkeqësuar më tej situatën.

Seit Cikalleshi është akuzuar dhe më parë për tjetërsimin e 36 ha tokë në Spille të Kavajës në favor të familjarëve të ish-kryetarit të bashkisë Elvis Rroshi, drejtuesit lokal të PS-së në Kavajë Gentian Daja me të cilin ka pasur dhe marrëdhënie krushqie.

Në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të hipotekës, ai qe akuzuar për ndryshimin e zërit kadastral nga “ranishte” në “tokë arë”, duke e përfshirë pjesën e bregdetit në fondin e ndarjes së tokave dhe përfitimit prej shitjes së saj pas shpërndarjes tek disa familje.

Edhe hartografi Dritan Kazazi që ka përfunduar sërish në gjyq ka qenë i akuzuar nga prokuroria e Kavajës në 2017 për këtë tjetërsim pronash së bashku me 9 persona të tjerë.

Në 2019, ish-kreu i ZVRPP Kavajë Seit Cikalleshi u dënua me 2.8 vjet burg,ndërsa hartografi me 2 vjet, vendim ky mbi të cilin u aplikua ulja me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA