71-vjeçari dmond Naska, i cili terrorizoi lagjen nr.16 në Korçë , duke qëlluar me armë nga ballkoni i banesës, u arrestua nga RENEA, pas disa orësh.
Rreth orës 10:20, 71-vjeçari i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, ka qëlluar me armë zjarri nga ballkoni i banesës së tij në katin e parë të një pallati.
Shërbimet e Policisë vendore kanë ndërhyrë menjëherë duke krijuar perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar banorët e zonës.
Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të lënduar.
Në momentin e ndërhyrjes së RENEA-s, qytetari ka mbyllur derën e banesës, ndërsa policia rrethoi zonën. 71-vjeçari nuk ka bërë asnjë reagim kur iu vendosën prangat.
“RENEA neutralizon dhe vë në pranga 71-vjeçarin që qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij. Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e sotme, i cili bën fjalë për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 16, ku shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij, ju bëjmë me dije se:
Me mbërritjen e njësive speciale RENEA, është krijuar perimetri i afërt i sigurisë, si dhe është negociuar me 71-vjeçarin, për t’u dorëzuar. Pas negociatave, 71-vjeçari është dorëzuar dhe më pas është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti”, sipas njoftimit zyrtar të policisë.
Top Channel