Kievi mund të ftojë një delegacion rus për një samit të dytë për paqe, e pohuar kjo nga presidenti ukrainas Volodymir Zelensky i cili njoftoi planet për përgatitjen deri në nëntor të një samiti të dytë ndërkombëtar, qëllimi i të cilit të jetë fundi i konfliktit.
Ukraina zhvilloi muajin e kaluar një samit në Zvicër, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga 92 vende, por nga Moska jo.
“Unë mendoj se përfaqësuesit e Rusisë duhet të jenë të pranishëm në samitin e dytë. Mund ta ftojmë një delegacion të Moskës.”-u shpreh Zelensky.
Komentet e kreut të shtetit ukrainas vijnë në kohën kur një sondazh i mediave vendase tregoi se mbi 40% e ukrainasve mbështesin fillimin e bisedimeve të paqes, nuk përfshin banorët e Gadishullit të Krimesë, i cili u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, dhe zona të tjera në lindje dhe jug të vendit që janë të kontrolluara nga rusët.
Moska e pati kritikuar samitin e mbajtur në Zvicër, duke thënë se çdo diskutim që nuk e përfshin atë vetë, është “absurd”. Sipas sondazhit 43.9% e ukrainasve në zonat e kontrolluara nga Kievi mendojnë se “ka ardhur koha për fillimin e bisedimeve zyrtare për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë”, 35% ishin kundër fillimit të negociatave dhe 21% që ishin të pavendosur.
Mbështetja më e madhe për fillimin e bisedimeve të paqes u regjistrua në rajonet jugore të Ukrainës, me rreth 60%, ndërsa në zonat qendrore pro negociatave ishin gati gjysma e banorëve. Pavarësisht qëndrimeve pro bisedimeve për paqe, megjithatë, 83% e të anketuarve janë kundër kërkesave të presidentit rus Vladimir Putin në mënyrë që t’i jepet fund luftës.
Putini kërkon që Ukraina të tërheqë trupat e saj nga katër rajone në jug dhe lindje që Moska pretendon se i ka aneksuar e insisitoi gjithashtu që Kievi të heqë dorë nga çdo ambicie për t’u anëtarësuar në NATO.
Top Channel