Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se raportimi i organeve të pavarura të drejtësisë, ndërveprimi i tyre me Parlamentin, sipas parimit të balancës dhe të kontrollit të pushteteve është një mekanizëm dhe një mundësi mjaft e mirë kushtetuese për suksesin reciprok të institucioneve në të mirë të të gjithë shoqërisë shqiptare.
“Përjashto seancën absurde të konsideratave dhe pyetjeve me përgjigje brenda, që shumë prej kolegëve shtruan në pjesën teatrale të seancës, ku denigrimi, lincimi dhe shantazhi ishin kryefjale, seancë e cila duhet të ishte shmangur me rregullore e cila parashikon depozitim të pyetjeve dhe jo shpalosje të sulmeve nga deputetët e Kuvendit”, tha ajo në fjalën e saj në Kuvend, ku raportuan krerët e institucioneve të Drejtësisë.
Në një kohë plot cinizëm, por edhe me shumë sfida, përpjekje, rënie e ngritje, tensioni politik dhe moral, një gjë është e qartë, vuri në dukje, Spiropali, me vështirësi dhe mundim, por padyshim me një spirale ngjitjeje pozitive, evolucioni dhe revolucioni i nisur me reformën në drejtësi ka nisur të japë frytet e veta.
“Pandëshkueshmëria, kjo plagë e thellë dhe fatale e shoqërisë, mentaliteti i standarteve të dyfishta në aplikimin e drejtësisë dhe shpresa se koha mbulon çdo krim, kanë marrë goditje vendimtare. Askush dhe askurrë nuk e ndjen më veten të imunizuar nga mosndjekja e shkeljeve të ligjit a përfitimit të paligjshëm, dhe se herët a vonë, çdo mëkat apo shkelje me vullnet do të shpaguhet me gjuhën e ligjit. Pavarësisht se autorët e tyre janë në pushtet a opozitë. Kjo për sa i përket subjekteve të Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale, ndërkohë që për qytetarët e zakonshëm, ende ka problematika të mprehta, të lidhur kryesisht me kohën shumë të gjatë të proceseve gjyqësore”, u shpreh ajo.
Një drejtësi e vonuar, sipas saj, është një drejtësi e munguar dhe si e tillë, është e papranueshme.
“Thelbi i asaj që ka ndodhur në këto vite në raportin mes dy pushteteve, legjislativit dhe drejtësisë ka të bëjë me krijimin e të gjitha kushteve për drejtësinë që i garantojnë asaj liri veprimi dhe pavarësi të plotë nga politika, nga maxhorancat që ndryshojnë në kohë dhe nga humori politik që dikur kushtëzonte karrierën në sistemin e drejtësisë”, deklaroi ministrja.
Spiropali theksoi se dallonte dy filozofi të ndryshme, totalisht të diferencuara mes PS-së, partia iniciatore e reformës, dhe pjesës thelbësore të opozitës, që fillimisht, e shtrënguar u detyrua të votojë këtë reformë.
“Nga njëra anë shohim vullnet të palëkundur të maxhorancës në mbështetjen e plotë të veprimtarisë së organeve të drejtësisë. Pranim në heshtje dhe pa koment të cdo vendimi të saj. Dhe mbi të gjitha, lënien e çdo individi nën akuzë, të vetëm përballë drejtësisë, pa asnjë lloj mbrojtjeje a imuniteti politik”, u shpreh Spiropali.
Nga pikpamja njerëzore, vuri në dukje ajo, është shumë e vështirë të thuhet e pranohet dicka e tillë, por distancimi i PS nga cilido prej kolegëve dhe ish-kolegëve tanë është më shumë se një fakt, është zgjedhje dhe e vetmja sjellje përballë bastit të tyre me drejtësinë.
Spiropali foli për 21 Janarin.
“Prej 13 vjetësh, menjëherë mbas tragjedisë së 21 Janarit, Partia Socialiste ka denoncuar vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm, si krim shtetëror.
Pushkatimi i atyre qytetarëve në bulevard, pa gjyq, nuk u krye vetëm nga gishtat që tërhoqën këmbëzën e automatikut, por nga maja e piramidës shtetërore. Ish-kryeministri i vendit, gjykuam atëherë dhe sot edhe më fort dhe më kthjellët, ishte njeriu që krijoi skenarin e vrasjes për pushtet dhe autor i tentativës për te prishur çdo hetim e ndëshkim të bashkautorëve të tij”, tha ajo.
Plot 13 vjet më vonë, tha Spiropali, një vendim i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e konsideroi krim shtetëror ngjarjen e 21 Janarit, dhe zinxhirin komandues shtetëror fajtor, duke i dhënë të drejtë akuzave tona politike. Tashmë, sipas saj, ka mbetur vetëm shndërrimi i tyre në akuzë penale, në një hetim gjithëpërfshirës, të shpejtë dhe profesional.
“Nuk ka peshë më të rëndë se gjaku dhe nuk ka akt më të pakthyeshëm se vdekja. Ky vend ka nevojë të jashtëzakonshme për drejtësi dhe 21 Janari është sprova e madhe që drejtësia duhet të kalojë. Për të dhënë besim e shpresë se ajo edhe mund të vonojë, por nuk do të mungojë”, tha ministrja.
Nga ana tjetër, u shpreh ajo, shohim një rireshtim të të gjithë opozitës si një vijë e fortifikuar bunkerësh politikë në mbrojtje të një individi të vetëm.
“Shndrrimin në synim të vetëm të saj, luftën me sistemin e drejtësisë duke anashkaluar betejën politike të ditës, debatin dhe kundërshtinë e natyrshme politike mes palëve. Për më shumë, gjuha agresive e përdorur, intimidimi dhe shantazhimi në emra të përveçëm të njerëzve të sistemit që ka arritur kulmin me drejtuesin e SPAK-ut, është një provë e shtuar për atë çfarë sanksiononin partnerët tanë amerikanë tre vite më parë, gatishmërinë për të mbrojtur veten dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsioni dhe masave të llogaridhënies”, deklaroi ministrja.
Siç ka qenë dikur, vijoi ministrja, siç e ka të gdhendur në ADN-në e tij politike, vrazhdësia, arroganca, sulmi në bllok, përdorimi i gjysëm, çerek a aspak të vërtetave dhe shantazhi publik, kanë arritur në shkallë të paimagjinueshme duke u shndërruar në kërcënim serioz për ekuilibrin mes pushteteve në vend.
“Arbitri suprem, sovrani të cilit do t’i drejtohemi pak muaj më pas për të bërë sërish zgjedhjen mes nesh, për momentin ka bërë një zgjedhje të qartë mes këtyre dy filozofive: në një shumicë dërmuese besimi, madje duke tejkaluar edhe insitutcionet e tjera shtëtërore apo ato partiake, ai është investuar me shpresë tek SPAK-u, i cili sidomos në këto dy vitet e fundit, është bërë një pikë reference për shpresën për ndëshkim dhe drejtësi”, shtoi ajo.
Aji theksoi se nuk beson se prangat janë qëllim përfundimtar. “Dekurajimi i krimit në përgjithësi dhe krimit me kravata në veçanti, kalon pikësëpari nga bindja se produkti i veprës kriminale nuk do të jetë asnjëherë i sigurtë. Se paratë e vjedhura dhe pronat e paligjshme do të sekuestrohen dhe se nuk ka vend ku të fshihen. Për këtë arsye, thellimi i hetimeve financiare profesionale, pa zell, është çelësi kryesor për ndëshkim. E di që gjithçka është një proces, që pavarësisht dëshirës, përpjekjeve dhe përplasjes së vullneteve, ende nuk kemi e nuk do të kemi për shumë kohë një situatë ideale, siç meriton një shoqëri evropiane. Por jam gjithashtu e bindur se vullneti ynë politik, filozofia jonë e pandryshueshme për të respektuar parimin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve, janë rruga e duhur për t’u ndjekur”, nënvizoi ministrja.
Në këtë rrugë, sipas saj, asistenca e partnerëve ndërkombëtarë, garantët dhe bashkautorët e reformës janë ndihmesë e paçmueshme.
“Komisioni i Posaçëm për Thellimin e Reformave për Antikorrupsionin, Sundimin e Ligjit dhe Mirëqeverisjen, që ky Kuvend miratoi pak kohë më parë, është instrument i nevojshëm për harmonizimin e veprimtarisë së pushteteve, për njē cikël të ri reformimi. Qeveria shqiptare do të afrojë çdo garanci politike dhe çdo mjet financiar të nevojshëm për mbarëvajtjen e sistemit, të aftë të jetë komplementar me të gjitha përpjekjet e vendit për integrim evropian”, tha ajo.
Top Channel