Dështon kredia studentore! Të rinjtë që aplikuan, nuk kanë marrë vlerën e miratuar për kostot e jetesës

14/07/2024 19:51

Të rinjtë që kanë aplikuar për kredi studentore me garancinë e Ministrisë së Arsimit nuk kanë marr vlerën e miratuar për kostot e jetesës dhe studimet e tyre.

Afatet e parashikuara në vkm për skemën e kreditimit studentor, të planifikuar që do realizohej për herë të parë gjatë vitit akademik 2023-2024, janë shkelur.

Siç duket nga ky e-mail i siguruar nga Top Channel, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë ka njoftuar studentët fitues se brenda datës 15 maj do të lidheshin me bankën për të kryer transfertën e kredisë studentore, por kanë kaluar gati dy muaj dhe studentët ende nuk kanë paratë për të shlyer detyrimet financiare për universitetet mbi studimet e tyre.

Nga 51 kërkesa u përzgjodhën në të gjithë Shqipërinë 12 studentë të universiteteve publike, të cilët duhet të përfitonin kredi me interes të ulët 1%, pasi 5% do mbulohej nga buxheti i arsimit dhe më pas do e shlyenin atë në përfundim të studimeve, por lista ka ngelur thjesht në letër sepse studentët nuk kanë përfituar asgjë.

Në mesazhet e studentëve dërguar AKFAL-it, institucionit në varësi të ministrisë së arsimit duket qartë shqetësimi i tyre mbi nevojën e kredisë në fillim të qershorit, pasi nuk lejohen të hyjnë në sezonin e provimeve pa paguar tarifën e studimit.

Tanimë me mbylljen e vitit akademik, studentët thonë se kësti nuk ju vlen më. Ndër përgjigjet e marra ju është thënë se procedurat duan kohën e tyre në këtë proces që zhvillohet për herë të parë ndaj dhe vonesat justifikohen.

Top Channel u interesua mbi këtë problematikë pranë Ministrisë së arsimit, e cila deklaron se AKFAL ka realizuar marrëveshjen me bankën dhe është në pritje të zbatimit të saj, pasi institucioni bankar ka kërkuar kohë për gjenerimin e sistemit të posaçëm për studentët, si një produkt risi. “Agjencia e financimit të arsimit të lartë, po interesohet çdo ditë për të zgjidhur këtë ngërç të bankës”, thotë Ministria e Arsimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA