Pavarësisht se Pogradeci është një prej qyteteve ku mund ti shpëtosh të nxehtit të pazakontë dhe të pushosh buzë liqenit të Ohrit, sezoni turistik duket i vakët krahasuar me vitin e kaluar.
Shëtitjet me varkë në liqen, sportet ujore, këndet e argëtimit për fëmijë dhe aktivitetet e ndryshme për të rritur janë pjesë e ofertës së Pogradecit që ashtu si vitin e kaluar synon të tërheqë sa më shumë turistë vendas dhe të huaj por deri tani sezoni duket i zbehtë.
I njohur për klimën e freskët dhe qetësinë, qyteti liqenor frekuentohet më shumë nga familjarët, grupmosha e tretë apo pushuesit besnikë që e zgjedhin çdo verë, kurse të rinjtë e preferojnë shumë pak dhe kryesisht për pushime të shkurtra. Nuk mungojnë as pushuesit që jetojnë në emigrim dhe zgjedhin ti kthehen qytetit të tyre të lindjes.
“Vijmë nga Gjermania dhe do qëndrojmë për dy javë në Pogradec. Kam dëgjuar për Pogradecin 25 vite më parë kur punoja në Elbasan tek Shtëpia e Foshnjës dhe na pëlqen Shqipëria ndaj vijmë çdo vit për pushime në Pogradec”, shprehet një turist.
Ndryshe nga sa ndodh në bregdet këtu pushuesit gjejnë çmime të arsyeshme, plazhe publike dhe mundësi të shumta argëtimi por pavarësisht kësaj shezlonat janë të zbrazët dhe kërkesa nuk është siç pritej.
Top Channel