Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, duke folur në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s, zhvilluar në Washington DC, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Aleancës, tha se Shqipëria ka dhënë një kontribut të sinqertë për paqe, siguri dhe liri.
Nikolla në nisje të fjalës së saj tha se “Shqipëria, si një vend anëtar i ri në NATO, është rasti kuptimplotë që provon se kontributi në Aleancë nuk varet as nga madhësia e vendeve anëtare, as nga pasuria, niveli i zhvillimit, historia e jetëgjatësia në Organizatë, por nga angazhimi i sinqertë për paqe, siguri dhe liri”.
“Ne, shqiptarët, kemi fituar besimin e Shteteve të Bashkuara dhe të anëtarëve të tjerë të NATO-s me angazhimin tonë të qëndrueshëm dhe të vendosur në zbatimin e vendimeve të Aleancës”, u shpreh Nikolla.
Sipas saj, “një tjetër provë e besimit të Aleancës tek Shqipëria është fakti se pak muaj më parë, më 4 mars, një bazë e re ajrore taktike e NATO-s filloi të funksionojë në vendin tonë.
“Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër parlamentet e para të vendeve anëtare të Aleancës që ka ratifikuar protokollet e anëtarësimit të anëtarëve të rinj. Këtë e kemi bërë të udhëhequr nga vizioni që një anëtar i ri është një kontribues më shumë për paqen, sigurinë dhe demokracinë, të cilat mbështesin njëra-tjetrën”, thekson Nikolla.
“Investimi në paqe dhe siguri nuk sjell sigurokraci. Përkundrazi, ai nxit procesin, institucionet dhe vlerat demokratike. Ne, në Ballkanin Perëndimor, e ndiejmë këtë më shumë. Kjo sinergji është më domethënëse atëherë kur kërcënimet e luftës janë të dukshme, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe situatës në Lindjen e Mesme”, vijon Nikolla.
“Shqipëria, si një vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB, së bashku me Shtetet e Bashkuara, ka shërbyer si bashkë-pene-mbajtëse në përcaktimin e qëndrimeve dhe veprimeve në mbrojtje të Ukrainës. Ne u bashkuam me dhe mbështetëm, sa më mirë që mundëm, veprimet e qarta dhe të shpejta të NATO-s në mbështetje të Ukrainës, veprime që treguan forcën dhe kohezionin e Aleancës”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
“Në librat e shenjtë shkruhet “Kush shpëton një jetë, ka shpëtuar një botë të tërë”. Shqipëria është përkrah NATO-s dhe të aleatëve tanë kryesorë, SHBA dhe BE, e bindur se lufta ndaj terrorizmit, bazave të tyre, mbështetësve të tyre dhe ekstremizmit të dhunshëm, është lufta për jetën”, përfundoi Nikolla.
Top Channel