Në prag të samitit treditor të Washingtonit ku NATO-ja mblidhet për të kremtuar 75 vjetorin e krijimit, numri një i aleancës Jens Stoltenberg, pohoi se të gjitha vendet e saj duan paqen dhe kjo mund të arrihet nëse presidenti rus Vladimir Putin, e kupton se nuk mund të fitojë në fushën e betejës.
“Mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund kësaj lufte është humbja e saj. Por kjo nuk do të sillte paqe. Do të sillte pushtim” thotë Stoltenberg.
NATO-ja, nga sa shpjegoi Stoltenberg, do të marrë masa që përfshijnë krijimin e një komande të posaçme në Gjermani, ndihmën e shtuar financiare dhe ushtarake si dhe marrëveshjet dypalëshe të sigurisë, në vazhdën e përpjekjeve për një front të bashkuar të aleancës kundër agresionit rus.
Në muajin prill, ai pati pohuar se aleanca nuk pritej t’i ofronte Ukrainës anëtarësimin në NATO gjatë takimit të lartë, por një “urë” drejt anëtarësimit.
Komanda e re në Gjermani me qendra logjistike në Europën Lindore, që synon bashkërendimin e ndihmës ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën, do të përfshijë 700 pjesëtarë të personeli të udhëhequr nga një gjeneral i NATO-s me tre yje e do të ketë një mandat shumë të fortë, kështu që nuk do të ketë nevojë për konsensus për secilin dorëzim (armësh).
Top Channel