Në 25 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, SHBA kërkon nga Serbia të vendosë përgjegjësit para drejtësisë

08/07/2024 18:47

Në 25 vjetorin e vrasjes së tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, nga forcat serbe pas përfundimit të luftës në Kosovë, Departamenti amerikan i Shtetit i bëri thirrje të hënën Serbisë të nxjerrë autorët e vrasjes para drejtësisë.

Duke e quajtur vrasjen e tre vëllezërve gjatë kohës që po mbaheshin në paraburgim nga policia e Serbisë si “akt brutal”, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller tha se autorët e tij vazhdojnë të jenë të lirë.

“I bëjmë sërish thirrje Serbisë të përfundojë hetimet dhe të nxjerrë përgjegjësit për vdekjen e tyre para drejtësisë,” shkroi zëdhënësi Miller në platformën sociale X.

Trupat e tre vëllezërve Bytyqi u gjetën me duar të lidhura dhe plagë në kokë, në korrik të vitit 2001, në një varr masiv, në Petrovo Selo, bazë e njësive speciale policore serbe, të komanduara nga ish gjenerali Goran Radosavleviç, i njohur me nofkën Guri. Vëllezërit Bytyqi ishin pjesëtarë të batalionit Atlantiku të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ishte i përbërë nga shqiptaro-amerikanë që shkuan për të luftuar më 1999 në Kosovë.

Tre vëllezërit u arrestuan nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar të Merdares, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata fillimisht u dënuan me 15 ditë heqje lirie nga një gjykatë në Serbi, nën akuzat për kalim të jashtëligjshëm të kufirit.

Në dhjetor të vitit 2018, Departamenti amerikan i shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ish komandantit të njësive speciale të policisë serbe Radosavleviç për rolin e tij në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Në një deklaratë të hënën, familja Bytyqi tha se “dhimbja për vdekjen e Yllit, Agronit dhe Mehmtit, vazhdon të jetë e thellë.” Ata mbajnë përgjegjës ish komandantin Radosavleviç dhe ish ndihmës ministrin e brendshëm të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç si personat përgjegjës për vrasjen e pjesëtarëve të familjes së tyre.

“Drejtësia do të vijë. Jemi shumë të sigurt për këtë,” thuhet në deklaratën e familjes, duke u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe shteteve evropiane që të veprojnë.

Sipas tyre, “qeveria serbe e ka njohur përgjegjësinë e saj për shumë vite” por “nuk ka guxim për të vepruar.”

“25 vitet e fundit i kanë treguar botës se qeveria serbe nuk është e gatshme të veprojë vet. Por po ashtu kanë treguar se ne kurrë nuk do të dorëzohemi,” thuhet në deklaratën e familjes.

Ish komandanti njësive speciale policore Radosavleviç, i cili pas luftës në Kosovë udhëhoqi xhandarmerinë serbe nga viti 2001 deri në vitin 2004, vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Në vitin 2021, ai u nderua nga forcat speciale të Serbisë. Ndërsa ish zv/ministri Gjorgjeviç është dënuar në vitin 2011 nga Tribunali i Hagës për krime luftës në Kosovë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA