Më pak viktima, më shumë aksidente / Në 5 muaj, 63 jetë të humbura në rrugë, nëntë viktima më pak, por më shumë aksidente se vjet

08/07/2024 15:23
Foto Ilustruese

Këtë fundjave rrugët e vendit u përgjakën nga aksidente të ndodhura në Memaliaj, Korçë dhe me i rëndi në aksin gjiri i Lalzit-Maminas ku humbi jetën një turiste 8 vjeçare. Duket se dhe muajt e verës të kenë një tendencë të rritjes të aksidenteve rrugore. 

Nga Janari deri në Maj në vendin tonë kanë humbur jetën 63 persona si pasojë e aksidenteve. Referuar statistikave të INSTAT në këtë periudhë janë shënuar 626 aksidente ku kanë mbetur të lënduar 793 persona shumica e të cilëve meshkuj

Referuar të njëjtës periudhë të një viti më parë kemi nëntë jetë më pak të humbura nga aksidentet por nga ana tjetër një rritje prej gati 200 rastesh të aksidenteve si edhe të lënduarve. Ekspertët e lidhin këtë shifër me shtimin e lëvizjes në vend.

Ekspert Rrugor, Fadil Likaj  thotë: “Sasi e mjeteve në rrugë është rritur. Kemi parë dhe një rritje të fluksit të turizmit se fundmi, si dhe një shtim të numrit të automjeteve të regjistruara në vend”. 

Referuar analizave të kryera nga autoritetet rezulton se fajtor në pjesën dërmuese të aksidenteve është sjellja e drejtuesit të mjetit ku dominon shpejtësia.

Fadil Likaj  shton: “Edhe në aksidentet e fundit shkak ka qenë shpejtësia.  Mosregullimi i shpejtësisë në fushëpamje të kufizuar si natën apo pranë kryqëzimeve.  Një tjetër shkelje është mossigurimi për manovrat. Të rriten patrullimet e dislokuara. Është i vetmi mekanizëm që të bëhet minimizimi i aksidenteve dhe  shfryrje e trafikut”.

Në muajt e verës shihet një tendencë rritje dhe e konsumimit të pijeve alkoolike në drejtimin e mjetit si dhe ato psikotrope prandaj për parandalimin e aksidenteve kërkohet një kontroll më i shpeshtë nga ana e policisë sidomos në zonat me përqendrim me të madh pushuesish.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA