Komisioni i Ligjeve mblidhet këtë të mërkurë për të diskutuar projekt/rezolutën për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, ku kërkon ndër të tjera më shumë vëmendje për krimet zgjedhore.
Në draft, renditen 10 kërkesat e Kuvendit për SPAK-ut. Ligjvënësit kërkojnë hetime financiare për rastet e krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm, terrorizmit dhe pastrimit të parave, hetimet për kriptovalutat.
Projekt/rezoluta drejtuar SPAK:
1. Të hartohet një strategji e posaçme për prioritizimin e çështjeve dhe procedimeve të mbartura;
2. Të intensifikohen hetimet paralele financiare për rastet e krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm, terrorizmit dhe pastrimit të parave.
3. Të vijojë angazhimin në sigurimin e aplikimit të uniformizuar të standardeve të hetimit dhe ndjekjes penale, duke garantuar barazinë para ligjit.
4. Të vijohet me forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike me fokus hetimet financiare e të kriptovalutave.
5. T’i kushtohet vëmendje krimeve zgjedhore, veçanërisht fakteve të bëra publike në media para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, për të filluar hetimin kryesisht në rastet kur ka njoftime publike për kryerjen e një vepre penale.
6. Të tregohet një vëmendje e shtuar ndaj denoncimeve që vijnë nga publiku si dhe të rritet numri i hetimeve të kryera nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme për çështje me ndjeshmëri të lartë publike.
7. Të angazhohet në plotësimin e vakancave me qëllim funksionimin në eficencë të plotë të Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
8. Të përmbyllë procesin e hartimit dhe miratimit të akteve të tjera nënligjore të cilat rezultojnë pa miratuar, për të përfunduar plotësimin e kornizës strategjike institucionale.
9. Të angazhohet në pilotimin dhe testimin e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, me qëllim vënien në efiçencë brenda vitit 2024, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij sistemi në punën e Prokurorëve dhe Hetuesve të strukturës.
10. Të angazhohet në përmbushjen me efektivitet të detyrimeve institucionale në kuadër të raportimeve gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Top Channel