Të pranishëm në një ngjarje fetare, humbin jetën 150 persona në Indi, shkak temperaturat e larta dhe mungesa e ajrit brenda një tende

02/07/2024 18:33

Së paku 105 njerëz, shumë prej të cilëve gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën nga ikja në rrëmujë gjatë një tubimi të madh në një ngjarje fetare në veri të Indisë, njoftuan zyrtarët të martën.

Pjesëmarrësit kishin nxituar për t’u larguar nga një tendë e improvizuar pas një ngjarjeje me figurën hinduse Bhole Baba, raportuan mediat lokale. Ato i cituan autoritetet të kenë thënë se temperaturat e larta dhe mungesa e ajërit brenda tendës, mund të kenë qenë shkaktarë.

Zyrtari i lartë i policisë në Utar Pradesh, Shalabh Mathur, konfirmoi se 105 njerëz humbën jetën, ndërsa 84 të tjerë u lënduan dhe u dërguan në spital.

Një grua ngushëllohet teksa vajton pasi djali i saj vdiq nga ikja në rrëmujë në një festival fetar në Indi, 2 korrik 2024.

Rrëmujat vdekjeprurëse janë të zakonshme nëpër festivalet fetare në Indi, ku turma të mëdha mblidhen në hapësira të ngushta dhe pa masa të duhura të sigurisë.

Zyrtari policor Rajesh Singh tha se me gjasë festivali fetar në fshatin Hathras, rreth 350 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Utar Pardeshi, Luknou, u mbipopullua.

Fillimisht u raportua se rreth 15.000 njerëz ishin mbledhur për këtë ngjarje, e cila kishte leje t’i pranonte vetëm rreth 5.000 njerëz.

“Njerëzit filluan të bien njëri mbi tjetrin. Ata të cilët u shtypën në turmë, vdiqën”, tha dëshmitari Shakunatala Devi për Press Trust të agjencisë së lajmeve të Indisë.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe tha se Qeveria e tij po punon me autoritetet shtetërore për t’u siguruar që të lënduarit të marrin ndihmën mjekësore.

Autoritetet në Utar Pradesh thanë se kanë nisur një hetim për ta gjetur shkaktarin e këtij incidenti.

Në vitin 2013, pelegrinët që po e vizitonin një tempull gjatë një festivali të njohur hindus në Madhia Pradesh, e shtypën njëri-tjetrin nga frika se një urë do të shembej. Së paku 115 vdiqën nga shtypja apo pas rënies në lum.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA