Kryeministri hungarez, Viktor Orban, viziton për herë të parë Kievin! Propozon armëpushim në takimin me Zelenskyn

02/07/2024 16:01

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban i paraqiti një propozim për armëpushim presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili sipas tij, ka për qëllim pushimin e luftimeve me Rusinë, më shumë se dy vjet pasi Moska e nisi pushtimin e plotë.

Duke folur për gazetarë pasi u takoi Zelenskyn në një vizitë të papritur Kiev më 2 korrik, Orban nuk dha hollësi rreth përmbajtjes së propozimit të tij.

Zelensky, ndërkohë, nuk shprehu fare mendim për propozimin e Orbanit.

“E pyeta presidentin nëse është e mundur për një ndërprerje të luftimeve në funksion të bisedimeve. Në fund të fundit, një armëpushim do ta garantonte përshpejtimin e ritmit të këtyre negociatave”, tha Orban për gazetarët.

Orban udhëtoi në Ukrainë për herë të parë prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të këtij vendi, në shkurt të vitit 2022. Udhëtimi u realizua një ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian dhe mori vëmendje të madhe, për shkak të kritikave të zëshme dhe të vazhdueshme të Orbanit për ndihmën ushtarake që Perëndimi i dërgon Kievit.

Orban është, gjithashtu, një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin, prej se ai ka dhënë urdhër për pushtimin e vendit fqinj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA