Gropa të frikshme në tokat bujqësore në Konya të Turqisë, fermerët ndihen të rrezikuar

02/07/2024 11:33

“Teksa ngas traktorin nëpër fusha, kam frikë se mund të fundoset papritur dhe mendoj vdekjen”, tregon për AFP-në, Fatih Sik, një fermer 45-vjeçar, në Karapinar në rajonin qendror të Anadollit.

Toka e tij ndodhet në Konya, një provincë e gjerë bujqësore e njohur si shporta e bukës së Turqisë, ku gropat kanë ekzistuar prej shekujsh. Por numri i tyre është rritur vitet e fundit për shkak të thatësirës në rritje dhe shfrytëzimit tej mase të ujërave nëntokësore për ujitje, sipas ekspertëve. Disa janë shfaqur në fushat e mëdha të misrit, panxharit, grurit dhe tërfilit që mbulojnë fushën e Konyas.

Ato mund të arrijnë në 50 metra thellësi, duke u bërë jashtëzakonisht të rrezikshme. Dhe problemi duket se po shtohet. Parashikimet e ndryshimeve klimatike për Turqinë qendrore përfshijnë thatësira më të gjata dhe temperatura më të larta . Fermerët e zonës këmbëngulin se duhet të pompojnë ujin nga puset për vaditje.  “Dikur e nxirrnim ujin nga 20 metra nën tokë, tani na duhet të shkojmë deri në 60 metër”, tregoi një fermer. Kjo do të thotë se rreziku për gropat sa vjen dhe shtohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA