Në Spanjë shpërthejnë protestat kundër turizmit: Rritje “stratosferike” e çmimeve

01/07/2024 13:05

Spanjollët nuk mbajnë më: Pakënaqësia ndaj turizmit në vend ka mbërritur kulmin.

Vendasit e konsiderojnë turizmin masiv si shkaktar për rritjen stratosferike të çmimit të qirave dhe të kostove të jetesës, dhe kanë shpërthyer në protesta kundër vizitorëve të huaj. Pas protestave në ishujt Kanarie, në ishujt Baleare, apo Barcelonë edhe në Málaga u zhvillua një nga demonstratat më të mëdha që mbahen mend në metropolin bregdetar andaluzian.

Protesuesit mbanin në duar pankarta ku shkruhej: “Málaga nuk është në shitje”, “Ky nuk është turizëm, por pushtim”, apo “Kufizim tani”.

“Qyteti ynë është kthyer në një park të pajetueshëm argëtimi. Cmimet e qirave janë çmendur, banesat për turistët kanë zëvendësuar në mënyrë të parregullt shtëpitë normale”, tha një banor. 

“Turizmi në nivele të pakontrolluara, ka çuar në një rritje therëse të çmimeve të shtëpive dhe shumë gjërave të tjera. “Ne nuk jemi “turisto-fobikë” ndaj njerëzve që vijnë për të vizituar kulturën tonë, por jemi kundër çmendurisë që po ndodh. E këtu është edhe faj i keqmenaxhimit”, tha një punonjës marketingu.

“Jam pensioniste por nuk kam fond pensioni dhe s’mund ta përballoj qiranë. Banoj në një strehë sociale sepse s’mund të marr me qira asnjë banesë”, u shpreh një pensioniste.

“Edhe me një rrogë të mirë, njerëzit këtu s’e përballojnë dot muajin. Kjo është tepër mizore dhe e padrejtë. Vetëm për shkak të pushimeve ose ëndrrave të ca njerëzve të tjerë” – thotë po ashtu Alba Novoa, pjesëmarrëse në protestë.Këtë vit pritet që turistët në Spanjë ta kalojnë shifrën e 100 milionëve, shifër kjo që është dyfishi i popullsisë vendase.

Top Channel