Mikesha e afërt e Kadaresë dhe studiuesja e njohur e letërsisë, Alda Bardhyli ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh që mbylli sytë në moshën 88-vjeçare.
Teksa ka ndarë një foto të tyre të shkrepur 4 vite më parë, studiuesja Bardhyli shkruante se në bisedat e tyre Kadare i shprehte shqetësimin për kulturën, gjuhën shqipe dhe letërsinë.
Ajo e cilëson Kadarenë si njeriun që iu kundërvu me forcë idealit të “njeriut të ri” të propaganduar nga regjimi komunist dhe veprat e tij përfaqësojnë një Shqipëri fantastike, të cilën e ndërtoi sipas përfytyrimit ku besonte duke skicuar të ardhmen e shqiptarëve.
“Në kopshtin e Luksenburgut 4 vite më parë. Pas kafes dhe orëve të shkrimit në kafe Rostand, Kadare ecte i vetëm në hapësirat e këtij kopshti të madh të letërsisë.
Shqipëria ishte pjesë e bisedës sonë, ashtu si shkatërrimi, për një botë që po hynte drejt mbylljes së pandemisë.
Shqipëria, kultura, gjuha shqipe, letërsia do të ishin shqetësimi i tij i vazhdueshëm gjatë gjithë këtyre viteve që kam pasur fatin të jem afër tij!
Ai ishte lidhur fort pas gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar, besonte në idealet humaniste europiane, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se shqiptarët ishin dhe mbeteshin pjesë e pandashme e modernizimin europian, pavarësisht pengesave , rrethaneve fatkeqe…i bindur thellësisht që mendësia, shpirti dhe besimi Shqiptar ishin Europianë, tej gjeografisë.
Ai iu kundërvu me forcë idealit të “njeriut të ri” të propaganduar nga regjimi komunist dhe veprat e tij
përfaqësojnë një Shqipëri fantastike, të cilën e ndërtoi sipas përfytyrimit ku besonte duke skicuar të ardhmen e shqiptarëve.
Kadare ndërtoi me veprën e tij një Shqipëri moderne, krenare dhe kaq të bukur në sytë e miliona lexuesve në gjithë botën…
Një Shqipëri që na e la sot, teksa këtë mëngjes iku përgjithmonë, pa dramacitet ashtu si besonte”.
Top Channel