Franca shkon djathtas! Le Pen triumfon në zgjedhe: Kërkon shumicën për të qeverisur e vetme

01/07/2024 13:21

Bashkimi Kombëtar i Marine le Penit “dërrmoi” kampin e presidentit Emmanuel Macron në raundin e parë të zgjedhjeve të parakoheshme parlamentare të mbajtura të dielën.

Asambleja Kombëtare e Francës tani mund të dominohet ndjeshëm nga radikalët e djathtët dhe konservatorët. Le Peni kërkon mazhorancën tani në balotazhin e 7 korrikut. Nëse Rassemblement National do të arrijë të sigurojë një shumicë relative apo madje edhe absolute, kjo do të shihet të dielën që vjen. Në këtë raund të parë, forca politike e Le Penit siguroi 34 për qind të votave, ndërsa kampi i Macron u rendit i treti me 22 përqind, pas aleancës së majtë Nouveau Front Populaire (Fronti i Ri Popullor) që që fitoi rreth 29.1 përqind.

Le Pen synon tani një shumicë të qartë në parlament e cila do t`i mundësonte formimin e një qeverie të re me presidentin e partisë, Jordan Bardella si kryeministër, me pretendimin se në këtë mënyrë, do të punohet për “rimëkëmbjen” e Francës.

“Të dashur bashkatdhetarë të mi, demokracia foli dhe francezët vendosën në krye Bashkimin Kombëtar dhe aleatët e tij, duke zhdukur praktikisht bllokun makronist. Para së gjithash, si lidere politik, e përshëndes pjesëmarrjen e lartë që i dha shtysën këtij rezultati”, tha Le Pen.

Raundi i dytë i zgjedhjeve në Francë do të jetë vendimtar, por ai ngre shumë pikëpyetje sesi do ta ndajë Macron pushtetin me një kryeministër, që është armiqësor me shumicën e politikave të tij. Zgjedhjet me dy raunde që përfundojnë më 7 korrik, mund të ndikojnë në tregjet financiare evropiane, mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe menaxhimin e arsenalit bërthamor të Francës dhe forcës ushtarake globale.

Shumë votues francezë janë të pakënaqur nga inflacioni dhe situata ekonomike, duke fajësuar udhëheqjen e Presidentit Emmanuel Macron, të cilin e shohin si arrogant dhe larg realitetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA