U hap sot për qarkullim aksi i ri rrugor Thumanë-Kashar, prej 21 kilometrash, autostradë e Kategorisë A të Bashkimit Europian, segmenti i parë i Korridorit Blu, që i paraprin tre kantiereve të reja Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier, të cilat nisin nga puna për disa javë, ndërkohë që po brenda pak javëve rihapet gara për segmentin Milot – Balldren.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në hapjen e rrugës së re, së bashku me ZëvendësKryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, ku u takuan me stafin e punonjësve të angazhuar në ndërtimin e rrugës, si dhe u përshëndetën me drejtuesit e automjeteve të para që kaluan përmes këtij aksi.
Një vepër e përfunduar në kohë rekord, e cilësoi Zëvendëskryeministrja Balluku, rrugën e përfunduar në 15 muaj.
“Jemi në momentin e hapjes së autostradës së parë të tipit A në Republikën e Shqipërisë. Aksi Thumanë-Kashar 21 km, e cila është e disponueshme, duke nisur nga sot për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Unë do të thoja dhe diçka tjetër që ka të bëjë me instrumentin financiar që kemi përdorur për këtë rrugë dhe e kam thënë disa herë gjatë ditëve të fundit dhe e përsëris. Këtu kemi përdorur formatin e instrumentit financiar të koncesionit, një koncension 35 vjeçar. Investimi këtu është 271 milion euro të gjitha të disponueshme nga koncensionari privat. Në ndërkohë, pagesa e kilometrit është vendosur nga studimi WBIF dhe kështu do të jetë në të gjithë segmentin e Korridorit Blu. Duhet të themi që është një nga instrumentat më të volitshëm sa i përket shtetit shqiptar, duke qenë se ne nuk kemi angazhuar asgjë përveç se pjesën e shpronësimeve që i takon Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve. Mirëmbajtja dhe gjithçka tjetër qëndron në barrën e koncensionarit. Na është dashur vetëm 15 muaj që ta përfundojmë këtë vepër që është komplet rekord. Ky është stafi që kanë punuar me ne. Parametrat e sigurisë janë të gjitha të përmbushura. Duke nisur nga sot i dorëzohet për mbikëqyrje edhe Policisë Rrugore pasi këtu kemi tabela 130 km/h shpejtësi, tabela që nuk i kemi në asnjë aks tjetër në Republikën e Shqipërisë. Duam që të kemi kujdes me të gjithë ndjekjen e drejtuesve të automjeteve.”– shpjegoi Zëvendëskryeministrja Balluku,e cila theksoi ndër të tjera se përveç kësaj rruge janë ndërtuar edhe rrugët dytësore.
“E rëndësishme të themi është që bashkë me këtë rrugë janë ndërtuar dhe rrugët dytësore të cilat janë të disponueshme, jo vetëm për të lidhur komunitetet me këtë autostradë, por nga ana tjetër për t’i dhënë zgjedhje çdo drejtuesi automjeti nëse do të zgjedhë që të kaloje më pagesë përmes kësaj rruge, pra autostradës pjesë e Korridorit Blu e kategorisë A ose më pas të zgjedhë rrugët dytësore, të cilat do të jenë pa pagesë.
Ky është një nga kriteret që ne kemi vendosur për të gjitha kontratat koncensionare, edhe ato që do të lidhen apo që po lidhen në këto momente siç është pjesa e Kashar-Lekaj apo Lekaj- Fier apo edhe Thumanë-Milot. Në ndërkohë, siç ju kemi thënë, jemi gati në ditët në vazhdim për të hapur garën që do të lidhë Milotin me Balldrenin, duke i dhënë kështu një dimension tjetër gjithë Korridorit dhe më pas mbetet dhe loti i fundit, nga Balldreni deri në Muriqan.
Sigurisht, ne e kemi thënë të gjithë këto ditë, kjo është një rrugë që nuk i shërben thjesht trafikut i cili prodhohet nga drejtuesit e automjeteve shqiptare por të gjithë turizmit duke pasur parasysh që është një korridor i cili lidh veriun me jugun dhe sigurisht ka edhe një lidhje me Korridorin e VIII, i cili është një tjetër korridor që ne po ndërtojmë në këto momente.” – u shpreh Balluku.
Top Channel