Greqia me “halle shqiptare”, edhe grekët zënë me forcë plazhet e lira publike

29/06/2024 12:34

Për të dytin vit rresht, me shenjat e para tepër optimiste për rritje të vazhdueshme të numrit të turistëve, organet greke po përpiqen të vënë nën kontroll kaosin e krijuar në shumë plazhe të vendit, sa i përket vendosjes së shezlongëve, çadrave apo edhe karrigeve të restoranteve dhe tavernave.

Sipas ligjit të ri sipërmarësit që sigurojnë një kontratë për shfrytëzim të plazheve me qira, duhet të lënë të lire 50% të tyre për plazh publik dhe rrjeshtin e parë të çadrave të paktën katër metra larg bregut.

“Problemi me plazhet në Greqi është se ka sipërmarrës që ose me leje ose jo, mbulojnë pjesë të bregdetit aq sa qytetari i thjeshtë nuk ka akses, duhet të mbulojnë gjysmën e asaj që marrin me qira dhe të lënë një pjesë para bregut të lirë . Kjo zakonisht nuk ndodh”, shprehet George Theodoridis, aktivist për mbrojtjen e plazheve.

Pas një vale protestash verën e kaluar nga vendasit për baret dhe restorantet që mbulojnë plazhet në mënyrë të paligjshme shteti grek po merr masa me dronët survejues, imazhet satelitore si dhe aplikacionin MyCoast ku njerëzit e thjeshtë mund të denoncojnë shkeljet.

Ministria greke nga ana e saj pritet të japë më shumë se 1,200 kontrata qiraje të reja për plazhe këtë vit në një përpjekje për të rregulluar situatën, duke rishikuar 6500 kontratat ekzistuese.

“Nuk ka rehati, mund ta shihni vetë. Bizneset kanë mbërritur në breg të detit duke e mbyllur me tavolina, karrige dhe shezlonge. Në të kaluarën plazhi ka qenë i pastër sepse një makineri kishte hapësirë për ta pastruar natën. E gjithë kjo tani është zhdukur”, deklaron Evgenia Rapti, pensioniste me banim në Pefkochori.

Shumë aktivistë grekë që përkrahën vjet të ashtuquajturën «Lëvizja e peshqirëve», përpiqen edhe sivjet me anë të denoncimeve që deri tani kanë shkuar në 6000 vetëm tek aplikacioni i ministrisë, të sigurojnë vende për plazhe publike, por edhe çmime të lira. Si rezultat i denoncimeve në ishullin e njohur turistik të Rodosit, u pezullua funksionimi i një bar plazhi, i cili madje kishte vendosur shezlongët në det.

Greqia shënoi rekordin prej 33 mln  turistësh vitin e kaluar, 5 mln më tepër se një vit më pare dhe kjo ka sjellë edhe një rritje çmimesh për çadrat dhe shezlongët që variojnë nga 20 euro në plazhet e thjeshta me mbi 100 euro në disa prej ishujve të famshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA