Mediat amerikane publikonin sot pamje të fadadës së vendpërplasjes së debatit të parë presidencial 2024, në studion e CNN në Atlanta.
Joe Biden e Donald Trump do të kërkojnë sot aprovim nga votuesit e pavendosur dhe çdo avantazh që mund të përfitojnë nga gara e ngushtë, jo-entuzuaste për Shtëpinë e Bardhë.
Biden, presidenti më i vjetër në detyrë në SHBA, garon me Trump, tashmë i dënuar nga gjykata kriminale, ndërsa të dy duhet të tejkalojnë mendësinë e shumicës amerikane që e konsiderojnë eventin jo-frymëzues, shkruan rrjeti francez AFP.
Trump, i konsideruar si ‘politikan agresiv’, do të tentojë të mbajë nën kontroll impulset që shkaktuan kaosin në debatin e katër viteve më parë mes të dyve.
Kurse 81-vjeçari Biden do të jetë i dëshpëruar të shmangë gafat që sjellin shpesh paragjykimet për moshën e tij, dhe të mëshojë mesazhin se Trump është “një kërcënim serioz për demokracinë amerikane”.
Në studio nuk do të ketë audience, duke u hequr kështu kandidatëve nxitjen e brohorimave të mbështetësve, ndërsa mikrofonët e tyre do të fiken për të respektuar kohën e lejuar të të folurit.
Sot në platformën e tij ‘Truth Social’, Trump komentonte se Biden është kërcënimi i vërtetë ndaj demokracisë, si dhe “kërcënim ndaj ekzistences së vendit tonë .”
Ndërsa demokratët kanë paguar pesë reklama gjigante në rrugët e Atlanta ku vënë në lojë Trump për paditë e tij ligjore. “Donald, mirëseerdhe në Atlanta për herë të parë që kur je bërë zyrtarisht kriminel”, thuhej në një prej tyre.
Trump është në avantazh në shtetet e pavendosura por në total rezultati raportohet i ngushtë, për zgjedhjet që pritet të vendosen nga betejat e vogla të orëve të fundit, shkruan AFP.
Top Channel