Përmes një vendimi të enjten, Gjykata e Lartë hapi dritën jeshile që spitalet në shtetin Idaho të ofrojnë aborte për raste emergjente për momentin. Vendimi procedural nuk u jep përgjigje pyetjeve kyçe dhe mund të nënkuptojë që çështja të rikthehet përsëri në gjykatën me shumicë konservatore.
Opinioni u postua aksidentalisht një ditë më parë në faqen e internetit të gjykatës dhe u hoq menjëherë, por jo përpara se të merrej nga agjencia e lajmeve “Bloomberg News”. Opinioni përfundimtar duket kryesisht i ngjashëm me atë të postuar në internet. Vendimi anulon urdhrin e mëparshëm të gjykatës që kishte lejuar hyrjen në fuqi të ndalimit të abortit në Idaho, madje edhe për rastet e urgjencave shëndetësore.
Vendimi nuk u jep zgjidhje çështjeve themelore në brendësi të rastit, çka do të thotë se po ata gjykatës që votuan për rrëzimin e të drejtës kushtetuese për abortin, së shpejti mund të shqyrtojnë se në çfarë rastesh të emergjencave shëndetësore mjektët mund të ofrojnë aborte.
Ky është rasti i dytë në dy vite i publikimit të parakohshëm të vendimeve të gjykatës për abortin, megjithëse në rrethana të ndryshme. Vendimi i gjykatës që i dha fund të drejtës kushtetuese të abortit u publikua nga rrjeti Politiko nga një burim anonim.
Vendimi erdhi pas një çështje të ngritur kundër shtetit Idaho nga administrata e Presidentit Biden, e cila argumentoi se në bazë të një ligji federal, mjekët duhet të lejohen të ofrojnë aborte urgjente kur një grua shtatzënë përballet me rreziqe serioze shëndetësore.
Shteti Idaho argumentoi se ligji i saj bënte përjashtime për të shpëtuar jetën e një gruaje shtatzënë dhe se ligji federal nuk kërkon përjashtime të zgjeruara. Vendimi i gykatës rikthen në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët në bazë të cilit spitalet mund të kryejnë aborte në rastet urgjente për të mbrojtur shëndetin e një pacienteje shtatëzënë./VOA
Top Channel