George Latimer, një politikan i qendrës me qëndrime pro-Izraelit, mundi ligjvënësin Jamaal Bowman të martën në zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokrate.
Me këtë fitore, zoti Latimer ka rrëzuar një nga zërat më të fortë të krahut më liberal të së majtës në Kongres dhe një nga kritikët më të hapur të Izraelit. Zoti Bowman e ka akuzuar Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gazë, ku mijëra palestinezë kanë vdekur gjatë operacioneve ushtarake izraelite.
Zoti Latimer, hyri në garë me përkrahjen e komunitetit hebre dhe mori mbështetje të madhe financiare nga grupi me ndikim i lobimit pro-izraelit AIPAC.
Gjatë fjalimit pas fitores, zoti Latimer bëri thirrje për qëndrime më të civilizuara pas zgjedhjeve.
“Ne duhet që të mos ofendojmë njëri-tjetrin dhe të mos harrojmë se ne jemi të gjithë amerikanë dhe e ardhmja jonë e përbashkët është e lidhur me njëri tjetrin”, u tha ai mbështetësve në një tubim në qytetin ‘White Plains’.
“Ne debatojmë dhe më pas gjejmë një mënyrë për t’u bashkuar”, tha ai, duke shtuar se të gjithë ligjvënësit kanë për detyrë të gjejnë mënyra për të punuar përtej ndarjeve politike dhe për të parandaluar ndarjen e vendit.
Zoti Bowman kërkonte një mandat të tretë për të përfaqësuar një zonë në periferitë veriore të qytetit të Nju Jorkut. Humbja e tij është një goditje për krahun progresiv (krahun më liberal) të partisë dhe një paralajmërim i mundshëm për kandidatët para se të formësojnë mesazhet e tyre rreth konfliktit Izrael-Hamas.
“Lëvizja jonë ka qenë gjithmonë për drejtësi, ka qenë për njerëzimin. Gjithmonë ka qenë për barazi”, tha zoti Bowman në selinë e fushatës së tij në Jonkers. Ai e pranoi se e humbi garën, por nuk ndryshoi qëndrim për kundërshtimin e tij ndaj luftës në Gazë.
Organizata pro Izraelit AIPAC shpenzoi gati 15 milionë dollarë për zgjedhjet, duke mbushur mediat dhe kutitë postare me reklama negative gjatë përpjekjeve për ta rrëzuar zotin Bowman. Ai e ka akuzuar grupin e lobimit pro-izraelit se po përpiqet të blejë garën zgjedhore.
“Rezultati në këtë garë tregon edhe një herë se pozicioni pro-izraelit është një politikë e mirë”, tha përmes një deklarate grupi lobues AIPAC.
Disa figura të njohura të të majtës së skajshme kanë bërë fushatë në përkrahje të zotit Bowman. Në fazën e fundit të garës, atij iu bashkuan ligjvënësja Alexandria Ocasio-Cortez dhe senatori Bernie Sanders. Zoti Latimer mori mbështetjen e ish-kandidates demokrate për President dhe ish-senatores së Nju Jorkut, Hillary Clinton.
Për konfliktin izraelito-palestinez, ligjvënësi Bowman dhe zoti Latimer mbështesin një zgjidhje me dy shtete. Ata gjithashtu kanë dënuar sulmin e Hamasit më 7 tetor në Izraelin jugor që vrau rreth 1200 njerëz. Por zoti Bowman ishte një nga disa ligjvënësit e të majtës së skajshme që votoi kundër një rezolute simbolike të Dhomës së Përfaqësuesve në mbështetje të Izraelit, pas sulmit të 7 tetorit. Zoti Latimer mbështet me vendosmëri Izraelin dhe tha se negociimi i një armëpushimi me Hamasin nuk është i mundur, sepse ai beson se Hamasi është një grup terrorist.
Zoti Bowman u zgjodh për herë të parë në vitin 2020 pasi fitoi garën brenda partisë kundër ligjvënësit të moderuar Eliot Engel. Zoti Engel ishte ligjvënës me 16 mandate dhe kryetar i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për politikën e jashtme. Zoti Bowman, 48 vjeçar, garoi me strategjinë e të rebeluarit edhe këtë vit, duke e përshkruar zotin Latimer si një vegël të donatorëve republikanë dhe grupeve pro-izraelite.
Gjatë fushatës, zoti Latimer, i cili ka më shumë se tre dekada përvojë politike, shfaqi shpesh njohuritë dhe lidhjet e tij të thella me rajonin ku garon në zgjedhje. Ai tha se do të ishte një anëtar i suksesshëm i Kongresit.
Përveç qëndrimit të tij ndaj Izraelit, ligjvënësi Bowman është kritikuar edhe për një incident vitin e kaluar kur ai aktivizoi një alarm zjarri në një ndërtesë të Dhomës së Përfaqësuesve ndërsa ligjvënësit po punonin për miratimin e një ligji. Ai tha se veprimi ishte i paqëllimshëm ndërsa shtoi se alarmi u aktivizua kur u përpoq të hapte një derë të mbyllur ndërsa përpiqej të shkonte në sallë për të votuar. Zoti Bowman u ndëshkua nga kolegët e tij në Dhomën e Përfaqësuesve për këtë dhe incidenti u mbulua gjerësisht nga mediat.
Zoti Latimer, 70 vjeçar, do të jetë favoriti për të fituar zgjedhjet e përgjithshme. Zona vlerësohet si një bastion i demokratëve.
Në nivel kombëtar, drejtuesit e Partisë Demokratike kanë theksuar nevojën për të zgjedhur kandidatë të qendrës që mund të dalin më mirë në garat zgjedhore.
Të martën, votuesit demokratë në zonën tjetër të Nju Jorkut, Long Island, zgjodhën ish-moderatorin e televizionit CNN, John Avlon si kandidatin që do të sfidojë ligjvënësin republikan Nick LaLota në një qark që është fituar nga republikanët gjatë dekadës së fundit.
Zoti Avlon mundi ish profesoren e kimisë Nancy Goroff në zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike. Zona zgjedhore në Long Island është bërë një prioritet për demokratët pasi partia përpiqet të ndryshojë rezultatin në vendet periferike të Nju Jorkut, si pjesë e një strategjie për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në qendër të Nju Jorkut, demokratët zgjodhën senatorin e shtetit John Mannion si kandidatin e partisë për të garuar kundër ligjvënësit republikan Brandon Williams./VOA
Top Channel