Zyrtari më i lartë amerikan për shëndetin publik shpalli të martën dhunën nga armët si krizë të shëndetit publik, për shkak të rritjes me shpejtësi të rasteve të plagosjeve dhe vdekjeve nga armët e zjarrit në Shtetet e Bashkuara.
Udhëzimi i firmosur nga Dr. Vivek Murthy, Këshilltari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik, erdhi ndërsa Shtetet e Bashkuara u përballën me një tjetër fundjavë të përgjakshme pasojë e sulmeve në masë me armë, që shkaktuan dhjetëra të plagosur e të vrarë.
“Njerëzit duan të kenë mundësinë të ecin në lagje dhe të ndihen të sigurt”, i tha Dr. Murthy nëpërmjet telefonit agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’. “Amerika duhet të jetë një vend ku të gjithë mund të shkojnë në shkollë, në punë, në supermarket, apo në vendet për t’u lutur, pa pasur shqetësimin se kjo gjë mund t’u rrezikojë jetën”.
Për të ulur numrin e vdekjeve nga armët, dr. Murthy bën thirrje për ndalimin e armëve automatike, kontrollin e së shkuarës së atyre personave që duan të blejë armë, miratimin e ligjeve që do të kufizonin përdorimin e tyre në vende publike si dhe penalizimin e personave që nuk i mbajnë armët e tyre në rrethana të sigurta.
Këto sugjerime nuk mund të zbatohen në rang kombëtar pa miratim legjislacioni nga Kongresi, që zakonisht i druhet kalimit të masave më të forta për kontrollin ndaj armëve. Disa legjislatura të shteteve kanë miratuar megjithatë, ose planifikojnë të miratojnë, legjislacion me disa prej propozimeve të dr. Murthy-it.
Dr. Murthy thotë se ekziston “një marrëveshje e gjerë” që dhuna nga armët përbën problem. Ai citoi një anketim të vitit kaluar, sipas të cilit shumica e amerikanëve janë shqetësuar të paktën disa herë se ndonjë nga personat e tyre të dashur mund të lëndohej nga armët e zjarrit. Mbi 48 mijë amerikanë humbën jetën nga plagë me armë zjarri gjatë vitit 2022.
Mjekët shprehën menjëherë vlerësim për udhëzimin e dr. Murthy-it. Akademia Amerikane e Mjekëve të Familjes, për shembull, e ka konsideruar dhunën nga armët një epidemi të shëndetit publik prej të paktën një dekade.
“Mjekët e familjes e kanë kuptuar prej kohësh dhe e kanë përjetuar vetë, ndikimin shkatërrimtar që dhuna me armë ka tek pacientët dhe komunitetet të cilëve u shërbejmë”, thuhet në një deklaratë të presidentit të kësaj akademie, Steven Furr.
Udhëzimi i zotit Murphy pritet sidoqoftë të shkaktojë debat me lobistët për të drejtën e mbajtjes së armëve dhe do të ngjallë patjetër reagimin e ligjvënësve republikanë, shumica e të cilëve kundërshtuan emërimin e dr. Murthy-it, për dy herë me radhë, pikërisht për shkak të deklaratave të tij në lidhje me dhunën me armë.
Shoqata Kombëtare e Armëve (NRA) kritikoi menjëherë udhëzimin e dr. Murphy-it.
“Kjo është vazhdimësi e luftës që administrata e presidentit Biden u ka shpalluar pronarëve të ligjshëm të armëve”, tha në një deklaratë në rrjetin X, presidenti i kësaj organizate, Randy Kozuch.
Ishte pikërisht NRA-ja, së bashku me ligjvënësit republikanë që gëzojnë mbështetjen e këtij lobi, që për pak rrëzuan emërimin e zotit Murphy në detyrën e këshilltarit kryesor për shëndetin publik një dekadë më parë. Ai u tregua në vazhdim më i rezervuar për të bërë deklarata në lidhje me këtë çështje që për pak i kushtoi edhe vendin e punës. Dr. Murphy i premtoi madje senatit se “nuk synonte ta përdorte detyrën e re si një megafon për masa më të forta kontrolli ndaj armëve”.
Presidenti i atëhershëm Donald Trump e shkarkoi zotin Murthy nga detyra në vitin 2017, por presidenti Joe Biden e emëroi sërish në këtë detyrë në vitin 2021.
Dr. Murthy ka publikuar paralajmërime për tendenca shqetësuese shëndetësore në jetën amerikane, përfshirë vetminë dhe përdorimin e mediave sociale. Në një artikull këtë muaj në gazetën The New York Times, ai tha se mediat sociale kanë kontribuar për një krizë të shëndetit mendor tek të rinjtë amerikanë dhe i kërkoi Kongresit vendosjen e mesazheve paralajmëruese për platformat e mediave sociale, siç veprohet me paketat e cigareve./ VOA
Top Channel