Tensionet mes dy Koreve janë rikthyer, duke kulmuar me të shtënat paralajmëruese të ushtrisë koreano-jugore pasi disa ushtarë të Koresë së Veriut kaluan kufirin, e pohuar kjo nga Shtabi i Përgjithshëm i Seulit.
Pas të shtënave, ushtarët e veriut të izoluar komunist duket se janë tërhequr sërish. Ushtarët e Penianit kaluan Vijën e Demarkacionit Ushtarak që kalon përmes Zonës së Çmilitarizuar ditën e enjte, theksohet. Ky është incidenti i tretë i këtij lloji gjatë këtij muaji. Koreja e Jugut ishte detyruar edhe të martën të paralajmëronte duke hapur zjarr pasi dhjetëra ushtarë të Koresë së Veriut shkelën edhe në atë rast kufirin. Incidenti më i fundit vjen vetëm pasi presidenti rus Vladimir Putin vizitoi Penianin për të parën herë në 24 vjet e së bashku me liderin koreano-verior Kim Jong Un u zotuan që vendet e tyre të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast se sulmohen. E pikërisht në këtë moment ashpërsimi të tensioneve, shefi i Kremlinit lëshoi një paralajmërim për Seulin.
“Koreja e Jugut do të bëjë gabim të madh nëse armatos Ukrainën në luftën kundër Rusisë. Moska do të marrë vendime të cilat me gjasë, do të jenë shumë të pakëndshme për lidershipin aktual të Koresë së Jugut”, tha Putini.
Komentet e tij erdhën pasi Seuli deklaroi se po e merrte në konsideratë një mundësi të tillë, në përgjigje të paktit të re që Rusia vulosi me Korenë e Veriut. Dy Koretë janë ndarë që prej Luftës Koreane, që përfundoi në 1953. Ato nuk kanë nënshkruar një traktat paqeje, prandaj teknikisht janë në luftë që prej atëherë.
Top Channel