“Oj nanë, kqyr se edhe unë kam diçka në bark”, ishin fjalët e Leotrim Ahmetit, 7 vjeçar , para se nënë Shukrija të kuptonte se i biri kishte marrë plagë të rënda nga granatimi i shtëpisë së tyre në Rezallë të Skenderajt nga ushtria serbe.

Tre orë më vonë Leotrimi ndërroi jetë në Gradicë, përkundër ndihmës mjekësore që mori. Që nga kjo e martë, shtatorja e Leotrimit e vendosur në Skenderaj, do të shërbejë si monumet përkujtimi i çmimit më të shtrenjtë që paguan familjet shqiptare për liri.

“Faleminderit të gjithëve, kushdo që ka ardhë. Kushdo që ka rënë dëshmorë, ju faleminderit”, tha nëna e tij.

“Kjo shtatore simbolizon gjithë fëmijët që kanë dhënë jetën për këtë vend. Ku janë diku 1432 fëmijë e kjo shtatore i simbolizon ata”, tha vëllai i tij.

Autori i shtatores thotë se u inspirua nga fjalët e fundit të Leotrimit.

“Aty ka qenë një ngjarje shumë prekëse për mua bashkëbisedimi i nënës me fëmijën e vet para se të vdiste. Ajo më bëri që t’i vendosë vetes një parakusht për të ndërtuar një monumet për Leotrimin dhe historinë e vuajtjet e tij dhe gjithë të tjerët…”

Familjarët e Leotrimit, në këtë manifestim për zbulimin e shtatores së tij, thanë se kjo duhet të jetë thirrje për të mos e harruar të shkuarën e përjetimet e shqiptarëve.

“Ngjarje si këto kanë përjetuar shqiptarët ndër shekuj e janë shembuj të shumtë që përmes veprës së Leotrimit na rishfaqen si një lajm se historia nuk duhet harruar, se e kaluara e dhimbshme e ndërtoi të sotmen dhe është udhërrëfyes për të ardhmen”.

Leotrim Ahmeti, shtatë vjeçar u vra më 11 shtator të vitit 1998 në Rezallë të Skenderajt, nga forcat serbe. Ai është i biri i Malush Ahmetit, ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po ashtu dha jetën e tij në luftën e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA