Rrëzimi i kërkesës për të hequr “non grata-n”, Berisha sulmon institucionet britanike: U dënova pa asnjë provë, dëshmi goditja me shkelm e derës nga Fation Dauti

18/06/2024 15:11

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një tjetër reagim për vendimin e Komisionit Special të Apeleve dhe Emigracionit ne Londër, që la në fuqi “non grata-n” ndaj tij, u shpreh se janë bërë manipulime.

Nëpërmjet një videoje nga zyra e improvizuar në shtëpinë e tij, Berisha theksoi se nuk kishte qëllim heqjen e vendimit, por kërkon të bëjë padi në gjykatë për shpifje dhe trillime ndaj tij. Sipas demokratit, nëpërmjet këtij vendimi, SIAC vërtetoi se “nuk është marrë me vërtetësinë e provave dhe fakteve të paraqitura, por thjesht është marrë nëse Sekretarja e Shtetit, ka patur prova të mjaftueshme, ka bërë analizë të drejtë të provave për vendimin që ka marrë”. Berisha pretendon më tej se nuk është marrë në shqyrtim dosja voluminoze e dorëzuar prej tij.

“SIAC na informon, se ai nuk ka marrë parasysh mijëra e mijëra faqe, të dorëzuara nga Sali Berisha, sipas tij me vonesë, në Home Office, mbasi këto faqe nuk janë shqyrtuar siç kërkon ligji nga sekretarja e Shtetit, sepse janë dorëzuar me vonesë. Kjo është absolutisht një e pavërtetë që nuk i bën nder asnjë njeriu. Avoketërit e mi, kanë dorëzuar në kohë, në përputhje me marrëveshjen të gjitha dokumentet e kërkuara nga Home Office, por këto dokumente nuk i janë paraqitur sekretares së Shtetit, me dy qëllime.

Së pari, që ajo të mos mësonte të vërtetën. Së dyti, që këto dokumente të mos mund të paraqiteshin në SIAC duke mos i shqyrtuar sekretarja  e Shtetit.

Ne përfituam shumë nga ky proces. Ne mësuam së pari se, çfarë manipulimesh dhe manovrimesh të ulëta u bënë për të fshehur të vërteta, dosje mijëra faqe para Komisionit të Apelimit të Ankesave. Së dyti, mësuam se nuk ekziston asnjë provë, fakt, dokument që të faktojë korrupsionin, apo lidhjet me krimit të Sali Berishës”.

Sipas Berishës, akuzat për korrupsion dhe lidhje me krimin bazohen te Fation Dauti që shkelmoi derën te selia e PD-së.

“Imagjinoni, dëshmohet për lidhje me krimin ndaj Sali Berishës, duke përdorur goditjen me shkelm të një dere nga Fation Dauti, një qytetar që nuk e kam pranuar kurrë në jetën time dhe që vet e pranoi se, mund të mos jetë i lidhur me Berishën, në një kohë kur në zyrën e Edi Ramës, ulet këmbëkryq përfaqësuesi i kartelit më të rrezikshëm në botë, meksikan, Luftar Hysaj, madje dhe merr licencë për kazino. Pëllumb Gjoka fiton statutin e investitorit strategjik. Shqipëria thërritet tani botërisht si një narkoshtet.

A nuk janë këto akuza një përpjekje e korrupsionit transnacional për të mbrojtur, ndihmuar narkoshtetin shqiptar dhe korruptokratët shqiptarë, për të ndëshkuar Sali Berishën, që më shumë se çdo gjë tjetër në jetën e tij, pas përmbysjes së diktaturës ka bërë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA