Entuziazmi dhe energjia e tifozëve shqiptarë në ndeshjen e parë të Shqipërisë në Kampionatin Europian ka ndezur një fushatë online në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës.
Në shenjë mirënjohje për organizimin dhe sjelljen model që patën në Dortmund që u përmend kudo edhe në mediat ndërkombëtare si ‘tifozeria që duam’, shqiptarët po bëjnë thirrje në platformat sociale që ti jenë në krah Kosovës për t’u rritur në turizëm.
“Vizitorët që vijnë në tokën shqiptare të Shqipërisë le të vijnë edhe në tokën shqiptare të Kosovës. Le t’iu themi miqve që mikpritja, bujaria dhe tradita është e njëjtë ndër shqiptarë”.
Në grupe virtuale ku të huajt marrin informacione për destinacione turistike, sugjerime se ku mund të ushqehen mirë, muzetë që duhet të vizitojnë, shqiptarët kërkojnë që të reklamohen edhe atraksionet e Kosovës. ‘Do të ishte mirë për vëllezërit tanë shqiptarë të Kosovës të ndihmojmë njëri tjetrin sa më shumë të mundemi”, shkruajnë në Facebook, apo duartkrokasin në internet patriotizmin i cili nuk po mbetet thjesht në fushën sportive, por edhe që do mund të ndihmojë në fuqizimin ekonomik të dy vendeve.
Ideja është mbështetur nga shumë komentues të cilët vlerësojnë të vlefshme një paketë turistike të përbashkët Shqipëri- Kosovë.
Top Channel