Presidenti i Republikës Bajram Begaj uron besimtarët myslimanë në festën e Kurban Bajramit.
Ai kërkon që reflektimi në këtë ditë të shenjtë, të shërbejë për të bërë të mundur një shoqëri më të mirë e më të drejtë.
“Përzemërsisht i uroj Kurban Bajramin besimtarëve myslimane shqiptarë! Kurban Bajrami bart mesazhin e sakrificës sublime duke mundur egoizmin, zemërimin dhe lakminë.
Kurban Bajrami është akt arsyeje dhe vullneti, me anë të të cilit ne kuptojmë madhështinë e mesazhit hyjnor dhe përpiqemi të përmbushim rolin tonë për të bërë të mira e për t’iu gjendur pranë atyre që nuk kanë mundësi.
Vetëm ky reflektim i gjithsecilit bën të mundur një shoqëri më të mirë e më të drejtë. Gëzuar për shumë vjet Kurban Bajramin!”
Ndërsa kryeministri Edi Rama, ka zgjedhur që përmes një fotoje të veçantë, të urojë besimtarët.
“Sakrificën në emër të besimit, ta bëjmë pjesë të jetës”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në një urim të shpërndarë në rrjetet sociale.
“Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, uroj besimtarët myslimanë dhe qytetarët që festojnë e ndajnë me ta harenë e kësaj dite të bukur. Kjo ditë na frymëzon që dashurinë për Zotin ta kemi edhe për njëri-tjetrin, sakrificën në emër të besimit ta bëjmë pjesë të jetës, përkushtimin ndaj Zotit ta tregojmë edhe ndaj atyre që kanë nevojë për ne. Shëndet, gëzime e bekime për të gjithë!”
Urimin e tij në këtë ditë të shenjtë, kryebashkiaku Erion Veliaj, e bëri nga selia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Ai bëri thirrje për të lënë mënjanë zilinë dhe baltën ndaj njëri-tjetrit, teksa theksoi se vetëm me bashkëpunim dhe mirëkuptim mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme.
“Në dallim nga kohët e lashta kur Ibrahimit i kërkohej të bënte djalin kurban, sot na kërkohet të bëjmë kurban thashethemet, zilitë, xhelozitë, përfoljen, baltën, cinizmin, egoizmin. Fryma që duhet të kemi si shoqëri duhet të jetë si ajo që kemi mes besimeve. Sa më të dashur të jemi, sa më shumë të bëjmë kurban këto vese dhe këto cic-mice mes nesh, aq më shumë ecim përpara. Ne kemi treguar se kur ne bashkëpunojmë mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, tha Veliaj.
Top Channel