Baret, restorantet dhe hotelet, aktualisht punësojnë mbi 100 mijë individë, por sektori ka mungesa të mëdha, përballë shifrave disa milionëshe të turistëve që vijnë në Shqipëri.
Këtë vit shkollat e mesme dhe universitetet po mbyllen më herët, dhe një nga arsyet është edhe furnizimi me fuqi punëtore I tregut të shërbimeve.
“Nëse i referohemi shifrave të zyrës së punës dhe INSTAT-it, të punësuar aktualisht në sektorin tonë janë 120 mijë persona. Ne na nevojiten edhe 30 mijë punonjës, sipas kërkesave që ka tregu i punës, për të plotësuar gjithë boshllëkun e sektorit. Nxënësit dhe studentët ndihmojnë shumë, pasi janë një krah I mirë pune, dinë shumë mirë shqip dhe anglisht, dhe janë prurje shumë e mirë për industrinë. Emergjencë janë burimet njerëzore dhe infrastruktura që të çon drejt destinacioneve turistike nga veriu në jug. Këtë do ta shohim në korrik dhe gusht kur bllokohemi në trafik.
Vërtet kemi prurje turistësh, por ka shumë ankesa nga baret dhe restorantet që ka një konsum të ulët, sepse turisti që ka ardhur aktualisht është një turist që nuk ka fuqi blerëse. Turisti që vjen tamam është ai I korrikut, gushtit dhe shtatorit.
Ofertat që shikojmë gjithandej, ku për një sanitare në jug ofrohet pagë mujore deri në 1000 euro, nuk po funksionojnë, pasi nuk është vetëm rroga që të josh, por është edhe siguria. Vërtet që bën marrëveshje me këtë rrogë, por pastaj a je i sigurt nëse këtë pagë e merr apo jo. I referohem edhe rastit të fundit, vrasjes së recepsionistit në Dhërmi. Pikërisht për këtë siguri jam duke folur, që çdo njeri e do dhe e kërkon, dhe fakti që sezoni fillon më këto lajme, nuk është një gjë e mirë”-shprehet Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.
Top Channel