Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe NATO-ja kanë hedhur poshtë kushtet për një armëpushim në Ukrainë të vendosura të premten nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili tha se do të ndalte sulmin në Ukrainë me kusht që Kievi të tërhiqet nga territoret e pretenduara nga Moska dhe të heqë dorë nga përpjekjet për t’u anëtarësuar në NATO.

Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe NATO-ja kanë hedhur poshtë kushtet për një armëpushim në Ukrainë të vendosura të premten nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili tha se do të ndalte sulmin në Ukrainë me kusht që Kievi të tërhiqet nga territoret e pretenduara nga Moska dhe të heqë dorë nga përpjekjet për t’u anëtarësuar në NATO.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e hodhi poshtë propozimin që e cilësoi “një ultimatum të Putinit për të dorëzuar më shumë territor”.

Zoti Putin tha se propozimi i tij synon “zgjidhje përfundimtare” për konfliktin në Ukrainë dhe jo “ngrirjen e tij” dhe theksoi se Kremlini është “i gatshëm të fillojë negociatat pa vonesë”.

“Do t’i ndërmerrnim këto hapa në mënyrë të menjëhershme”, tha zoti Putin në një fjalim në ministrinë e Jashtme ruse në Moskë.

Këto deklarata zoti Putin i bëri në një kohë që udhëheqësit e 7 vendeve më të industrializuara u takuan në Itali dhe ndërsa Zvicra përgatitet të presë shumë udhëheqës botërorë, por jo nga Rusia, në një takim ku do të diskutohet mbi hapat e parë drejt paqes në Ukrainë.

Ndër të tjera, në kushtet për vendosjen e paqes, udhëheqësi rus renditi kërkesën që Kievi të mos ketë armë bërthamore, të kufizojë forcën ushtarake dhe të mbrojë interesat e popullsisë rusisht-folëse në Ukrainë.

Të gjitha këto duhet të jenë pjesë e “marrëveshjeve themelore ndërkombëtare” dhe të gjitha sanksionet perëndimore kundër Rusisë duhet të hiqen, tha zoti Putin.

“Ne po bëjmë thirrje për ta lënë pas këtë periudhë tragjike të historisë dhe për të rikthyer, hap pas hapi, unitetin mes Rusisë dhe Ukrainës dhe Evropës në përgjithësi”, tha ai.

Këto komente shënuan një rast të rrallë në të cilin zoti Putin parashtroi qartë kushtet e tij për përfundimin e luftës në Ukrainë, por nuk përfshijnë ndonjë kërkesë të re. Kremlini ka thënë më parë se Kievi duhet të njohë kontrollin e Moskës mbi territor dhe të heqë dorë nga synimi për anëtarësim në NATO.

Presidenti Zelenskyy, i cili ndodhet në Itali për takimin e G7, tha se propozimi i Putinit nuk ishte një propozim i ri dhe bëhej në formë “ultimatumi”. “Ajo që kërkon Putini është t’i japim një pjesë të territoreve tona, të pushtuara dhe të pa pushtuara, duke folur për disa rajone të vendit tonë,” tha ai.

Përveç anëtarësimit në NATO, Ukraina kërkon që forcat ruse të largohen nga territori i saj, përfshirë Krimenë që u aneksua ilegalisht në 2014, rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës dhe që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha në selinë e NATO-s në Bruksel se zoti Putin “ka pushtuar ilegalisht territorin sovran të Ukrainës. Ai nuk është në pozita për t’i diktuar Ukrainës se çfarë duhet të bëjë për rikthimin e paqes.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shtoi se “ky nuk është një propozim për paqe. Ky është një propozim për më shumë agresion, më shumë pushtim dhe në një farë mënyre tregon se qëllimi i Rusisë është të kontrollojë Ukrainën”.

Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet që aneksoi ilegalisht në vitin 2022, por zoti Putin këmbënguli të premten se Kievi duhet të tërhiqet plotësisht prej tyre dhe në thelb t’ia dorëzojë Moskës sipas kufijve të tyre administrative.

Në Zaporizhzhia në juglindje, Rusia ende nuk e kontrollon qendrën e rajonit me 700,000 banorë dhe në rajonin fqinj Kherson, Moska u tërhoq nga qyteti më i madh i tij, me të njëjtin emër, në nëntor të vitit 2022. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA