Gruaja nga Missouri merr pafajësinë 43 vjet pas burgut, për vrasjen e kryer nga ish-polici (fotot)

15/06/2024 21:47
Hemme pas denimit (majtas) dhe ne kohen e denimit (djathtas)

Gruaja që ishte paciente psikiatrike raportohet se ‘kishte pranuar’ autorsinë për vrasjen e vitit 1980, por tashmë avokatët thonë se vrasja ishte kryer në fakt nga një ish-oficer policie tashmë i deskredituar për korrupsion.

Gjykata ka shfuqizuar akuzat ndaj gruas për vrasjen që ndodhi kur ajo sapo ishte liruar si paciente psikiatrike, kur ajo kaloi 43 vjer prapa hekurave për një krim që tashmë rezulton se nuk ka kryer.

Gjykatësi Ryan Horsman vendosi dje se pas 43 vjetësh në burg, u caktua se kishte prova për pafajësinë e Sandra Hemme dhe duhet të lirohet brenda 30 ditëve, pasi gjyqi i kryer asokohe ishte inefektiv dhe prokurorët nuk kishin prezantuar provat që mund ta kishin ndihmuar.

Avokatja e saj tha se kjo ishte ‘koha më e gjatë që një grua është burgosur padrejtësisht’.

“Jemi mirënjohës gjykatës për pranimin e kësaj padrejtësie që zonja Hemme ka jetuar për më shumë se katër dekada”, thanë përfaqësuesit ligjorë.

Në kohën e marrjes në pyetje për vdekjen e 31 vjeçares Patricia Jeschke, punonjëse librarie, Hemme ishte e lidhur me kufizues lëkure dhe nën efektin e qetësuesve të fortë, ndërsa mund të shqiptonte vetëm përgjigje një-rrokëshe.

Ajo nuk mund të mbante drejt kokën e saj dhe autoritetet kishin refuzuar provat që implikonin në ngjarje ish-policin Michael Holman, i cili kishte tentuar të përdorte kartën e kreditit të gruas së vrarë.

Më 13 nëntor 1980, nëna e Jeschke e kishte gjetur viktimen të zhveshur e të përgjakur në dysheme, me një tel telefoni rreth qafës.

Policia implikoi Hemme që kishte dalë atë ditë nga spitali teksa kishte bërë ‘auto-stop’ në disa vende, deri sa kishte arritur në shtëpinë e prindërve te saj 160 kilometra më larg.

Gjatë marrjes në pyetje Hemme i ishin injektuar mjekime anti-psikotike që i shkaktonin spazma muskulare, thuhej në peticionin kundër dënimit.

Zyrtarët thonin se Hemme ishte “mendërisht konfuze” dhe e paaftë për të kuptuar pyetjet, por ata regjistruan përgjigjet si ‘pranim i krimit’ dhe gruaja e pafajshme kaloi 43 vite në burg për një krim që nuk kishte kryer. /ABCNews/

FOTO GALERI
1/3
Policia implikoi Hemme që kishte dalë atë ditë nga spitali teksa kishte bërë ‘auto-stop’ në disa vende

Top Channel