Në prag të festës së Kurban Bajramit, Myftiu i Korçës Ledian Cikalleshi ka përcjellë mesazhin e tij të urimit për të gjithë besimtarët, të cilëve iu është drejtuar edhe me thirrjen për më shumë bujari dhe solidaritet me ata që janë në nevojë.
“Bismilahi Rrahmani Rrahim Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar besimtarë myslimanë të Qarkut të Korçës, motra dhe vëllezër! Më lejoni që në këtë prag feste të Kurban Bajramit t’ju përcjell urimet më të përzemërta, paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë kjo feste në familjet tuaja. Kurban Bajrami është një nga dy festat e mëdha qe bashkon zemrat e myslimanëve në mbarë botën. Ajo na sjell ndërmend sakrificën e Ibrahimit a.s. dhe nënshtrimin e Ismailit a.s. ndaj Zotit të botëve si dhe raportin e duhur prind-fëmijë. Të bëhemi falënderues për të gjitha mirësitë dhe begatitë qe i kemi dhuratë nga Zoti ynë, dhe të tregohemi bujarë duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë.
Kush i ka mundësitë ekonomike le të bëjë kurban një dele si shenjë mirënjohje ndaj Zotit, të ushqejë familjen e tij dhe t’u shpërndajë edhe të tjerëve, ashtu si është edhe porosia e Profetit Muhamed (s.a.v). Motra dhe vëllezër! Ditën e shtunë, dt. 15 qershor 2024, është dita e Arafatit kur haxhijtë në Mekë mblidhen në zonën e Arafatit për t’u lutur. Besimtarët e tjerë mund të agjërojnë këtë ditë dhe Profeti a.s. na lajmëron se shpërblimi i agjërimit të kësaj ditë është se falen gjynahet e një viti më parë dhe vitit të ardhshëm. Festa e Kurban Bajramit është ditën e diel, dt. 16 qershor 2024”, tha ai.
Teksa ka përcjellë urimet e tij, Myftiu Ledian Çakalleshi ka ftuar të gjithë besimtarët të bëhen pjesë e ceremonisë së faljes së Namazit të Kurban Bajramit tek xhamia “Iljas Bej Mirahori”, në orën 6 të mëngjesit dhe vijon më tej me pritjet në Myftininë e Korçës.
Top Channel