Korporata Elektroenergjetike Shqiptare edhe këtë vit ka nisur punën për pastrimin e liqenit të Komanit nga mbetjet të cilat depozitohen përmes prurjeve që vijnë nga lumenjtë. Janë tre anije të KESH të cilat po punojnë për grumbullimin dhe largimin e mbetjeve.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ju bashkuan aksionit të pastrimit të ndërmarrë nga KESH.
Kryeministrja Balluku tha se përsa i takon situatës në liqenin e Komanit është arritur një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për të ulur nivelin e mbetjeve
“Kemi rënë dakord për një aksion të përbashkët. Pjesa e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit të Kosovës do të vendosë në dispozicion fondin për vendosjen e një rrjete, e një teknologjie të lartë padyshim, e cila do të menaxhohet nga pala shqiptare, KESH, për të bërë të gjithë ndalesën e parë të mbetjeve. Patjetër do ketë edhe kalime të materialeve që janë më të vogla, por të paktën të gjitha këto mbetjet e ngurta të cilat ne i gjejmë në brigjet e dy liqeneve të Fierzës dhe të Komanit do të ndalojnë”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se KESH me anijet e saj do të vijojë punën për pastrimin e të gjithë liqenit, duke bashkëpunuar edhe me grupet e vullnetarëve, teksa theksoi se falë masave që do të merren synohet që vitin e ardhshëm të kemi më pak mbetje dhe papastërti në liqene.
Top Channel