Liqeni i Komanit, një ndër zonat më të bukura të Shqipërisë dhe më të vizituara, po përballet prej ditësh me një situatë të rëndë prej ndotjes.
Sezoni turistik ka nisur dhe çdo ditë, me qindra turistë shqiptarë dhe të huaj, duhet të kalojnë mes pamjeve fantastike që të ofron natyra, por edhe mbeturinave të cilat janë shtuar gjatë ditëve të fundit.
Ky fenomen negativ, i cili përsëritet çdo vit, vjen si pasojë e mbeturinave të hedhura në përrenj, lumenj, liqen dhe në zonat e banuara nga fshatra të Tropojës, Kukësit, e deri në Kosovë, të cilat me pas depozitohen në Koman. Edhe turistet shprehin pakënaqësinë e tyre për situatën e krijuar.
Komani, është edhe si urë lidhëse për turizmin në Veri pasi përmes këtij liqeni vizitohen edhe lumi i Shalës, Valbona, Currajt e Epërm e deri në Theth.
Përveç disa aksioneve sporadike nga vullnetarët, asnjë masë nuk është marrë për pastrimin e liqenit.
Në periudhën Korrik-Gusht, vetëm lumi i Shalës pret 6000 deri në 7000 turistë në ditë, të cilët përveç liqenit me mbeturina duhet të kalojnë, edhe përmes rrugës Vau Dejës – Koman, totalisht të degraduar.
Top Channel